Nga Gladiola Jorbus: Gazetari si ndërmjetës, mes lajmit dhe publikut

Nga Gladiola

Jorbus Gazetari si ndërmjetës, mes lajmit dhe publikut

Gazetaria, si profesion dhe si mision shoqëror, ka qenë gjithmonë e lidhur ngushtë me përgjegjësinë ndaj fjalës së shkruar. Duke nisur nga reflektimet e Jorge Luis Borges-it, romancierit, poetit dhe eseistit të shquar argjentinas, kuptojmë se fjala nuk është thjesht një mjet komunikimi, por një akt me peshë morale dhe kulturore. Në këtë prizëm, gazetari nuk është vetëm raportues i ngjarjeve, por ndërmjetës i së vërtetës mes realitetit dhe publikut. Në thelb të gazetarisë qëndron zbulimi, analiza dhe përshkrimi i lajmit. Titulli apo fjalia hyrëse, shpesh e quajtur “bombastike”, bart një përgjegjësi të jashtëzakonshme, sepse ajo përcakton jo vetëm tonin e shkrimit, por edhe mënyrën se si perceptohet realiteti. Çdo fjali duhet të trajtohet si më e rëndësishmja, sepse çdo fjalë e hedhur në letër ka pasoja. Përgjegjësia e “së zezës mbi të bardhë” nuk është vetëm ligjore, por mbi të gjitha etike dhe shoqërore. Respektimi i drejtshkrimit dhe kuptimit të fjalëve nuk duhet parë si një formalitet i tepërt apo si kufizim i lirisë krijuese. Përkundrazi, kthimi herë pas here te fjalori i gjuhës shqipe është shenjë profesionalizmi dhe respekti ndaj lexuesit. Fjalët janë themeli i besueshmërisë së gazetarit dhe keqpërdorimi i tyre e gërryen këtë besueshmëri nga brenda. Sot, më shumë se kurrë, gazetarët dhe zëdhënësit e informacionit rrezikojnë të shndërrohen në shpërndarës mekanikë lajmesh, pa filtruar, pa verifikuar dhe pa reflektuar mbi pasojat. Gara për të qenë i pari shpesh e ka zëvendësuar përpjekjen për të qenë i saktë. Siç shprehet Ann Friedman, “ta bësh më mirë është më e rëndësishme sesa ta bësh më parë”, por kjo filozofi nuk gjen gjithmonë zbatim në praktikën e sotme mediatike. Ankthi për sensacion prodhon një gazetari të zbrazët: zero integritet, zero korrektësi, zero profesionalizëm. Megjithatë, do të ishte e padrejtë dhe nihiliste të thuhej se gazetaria ka vdekur. Ende ekzistojnë profesionistë që e lexojnë dhe e respektojnë Kodin e Etikës së Mediave të Shkruara, duke u përpjekur të ruajnë standarde minimale, por thelbësore. Në arenën ndërkombëtare, hasim gazetarë të guximshëm që raportojnë nga luftërat civile, protestat masive dhe krizat humanitare. Ata janë shembuj integriteti dhe sakrifice, figura që mishërojnë dashurinë për profesionin dhe përgjegjësinë ndaj publikut. Respekti dhe admirimi që ngjallin janë plotësisht të merituara, sepse ata e vendosin të vërtetën mbi interesin personal. Gazetaria nuk duhet të kufizohet vetëm në përcjelljen e lajmit. Ajo ka për detyrë edhe përmirësimin e shoqërisë dhe emancipimin e saj. Artikujt e shkruar me seriozitet, elegancë stilistike dhe nerv intelektual i rezistojnë kohës dhe konsumit mediatik. Ndryshe nga bindja e përhapur se vetëm skandali shet, historia ka treguar se sensacionalizmi i zgjatur shndërrohet në një dëm serioz për shëndetin shpirtëror dhe psikologjik të lexuesit. Shkëmbimi i informacionit prodhon domosdoshmërisht mendime dhe interpretime të ndryshme, por parimi themelor mbetet i pandryshueshëm: lajmi duhet trajtuar si gazetar, jo si gjykatës, moralist apo predikues. Verifikimi i burimeve, respektimi i etikës dhe përgjegjësia ndaj fjalës janë thelbësore, veçanërisht në epokën e rrjeteve sociale, ku çdo postim përhapet me shpejtësi marramendëse. Objektiviteti, koherenca dhe pavarësia janë shtyllat mbi të cilat duhet të mbështetet gazetari. Megjithatë, këtu haset një nga ngërçet më të mëdha të gazetarisë moderne: mungesa e pavarësisë reale. Media shpesh është e kontaminuar nga interesa politike dhe ekonomike, duke u shndërruar në instrument propagande. Siç shprehej Karl Kraus, luftërat fillojnë kur diplomatët gënjejnë gazetarët dhe më pas besojnë atë që lexojnë. Audiencës i serviren propaganda boshe, hakmarrje personale, përdhosje reputacioni dhe shkelje flagrante të fjalës së lirë, pa asnjë përgjegjësi. Në emër të lirisë së shtypit, shpesh justifikohet abuzimi me fjalën, e cila në fakt duhet trajtuar si një vlerë e shenjtë e gazetarisë. Gazetari ka në dorë një armë metaforike të fuqishme: fjalën. Ai mund të sfidojë, të reagojë dhe të vendosë ekuilibra morale duke promovuar të vërtetën dhe duke demaskuar gënjeshtrën. Siç thoshte Mark Twain, ‘’gazetari është ai që dallon të vërtetën nga gënjeshtra dhe publikon gënjeshtrën’’. Megjithatë, jo të gjithë gazetarët janë njësoj. Ende ekzistojnë profesionistë që e kuptojnë se paanshmëria është alfa dhe omega e gazetarisë, dhe se vetëm përmes saj mund të rikthehet besimi i publikut.