Elvira Zeneli: Bujaria është e bukur

Elvira Zeneli

Bujaria është e bukur

Të gjithë nxënësit ishin në oborr gjatë pushimit të madh. Arti, Sonila, Rea, Agroni dhe Besmiri po diskutonin për ditëlindjet e tyre, me kë do t’i festonin dhe ku do të shkonin. — Prisni njëherë, sepse pasnesër e kam unë ditëlindjen — u hodh e foli Arti. — Po mirë, more Arti — i tha Rea — po çfarë do bësh dhe ku do të shkoni? — Ju do t’ju qeras, pastaj do të shoh se ku do të shkoj me prindërit. Erdhi e pasnesërmja bashkë me ditëlindjen e Artit. Rea, Agroni, Besmiri dhe Sonila i kishin bërë një dhuratë të përbashkët. Në pako kishin futur dy libra të bukur me tregime, një fanellë të sportistit të kombëtares sonë, Rei Manaj, si dhe një palë këpucë futbolli. Ata e dinin që Arti e donte shumë atë lojtar dhe thoshte gjithmonë se në të ardhmen do të bëhej një futbollist i njohur si Rei dhe si Messi. Klasa e tyre ishte në katin e dytë të shkollës. Rea dhe Sonila i kishin përgatitur që në mëngjes nxënësit për surprizën që do t’i bënin Artit sapo të hynte në klasë. — Hej, Arti — i thirri Blini — a shkojmë ta takojmë pak profesorin e edukimit fizik për lojën që do të bëjmë pas mësimit me klasën VI-B? — Ikim — i tha Arti. Pasi folën me mësuesin e edukimit fizik, u ngjitën lart në klasë. Sapo Arti hapi derën, e gjithë klasa i këndoi “Happy Birthday”, duke mbajtur një ëmbëlsirë të vogël simbolike për ditëlindjen e tij. Arti nuk e kishte menduar kurrë një surprizë kaq të bukur nga shokët dhe shoqet e klasës. Për të mos i vënë në siklet disa prej tyre, të cilët nuk ishin mirë nga ana ekonomike, Arti tha: — Kjo është ditëlindja më e bukur. Pritja që më bëtë kur hyra në klasë është dhurata më e çmuar, sepse kjo nuk blihet me asgjë, nëse nuk e kemi thellë në shpirt mirësinë, dashurinë dhe sinqeritetin mes njëri-tjetrit. — Por tani prisni, sepse mami ka përgatitur mbrëmë disa ëmbëlsira për në shkollë, për ditëlindjen time. Nëna e Artit i kishte bërë me shumë kujdes dhe dashuri, sepse e dinte mirë entuziazmin e fëmijëve në raste ditëlindjesh, ngaqë ishte vetë mësuese në një shkollë tjetër. Arti mezi priste t’i ndante me të gjithë shokët e klasës. Kur hapi kutinë, një aromë e këndshme ëmbëlsire përshkoi klasën dhe të gjithë nxënësit iu afruan me sy të shndritshëm. Arti filloi t’ua ndante secilit. Por papritur vuri re disa nxënës nga një klasë tjetër, të cilët qëndronin në fund të klasës. Ata kishin ardhur aty sepse iu mungonte mësuesja dhe ishin ndarë nëpër klasa që të mos humbnin orën e mësimit. I shikonin ëmbëlsirat me sy të pafajshëm fëmije. Arti heshti për një çast. “Pse të mos i ndaj edhe me ta?” — mendoi. U ngrit mbi një karrige dhe tha me zë të qartë: — Ej, shokë, ejani të ndajmë ëmbëlsirat së bashku! Nxënësit u çuditën, por buzëqeshën dhe u afruan. Arti filloi t’u jepte copa ëmbëlsire secilit dhe shikimi i tyre i gëzuar e bëri të ndihej më i lumtur se kurrë. Mësuesja e vuri re dhe i tha: — Të lumtë, Arti! Bujaria bën të lumtur jo vetëm të tjerët, por edhe ty vetë. Që nga ajo ditë, çdo nxënës e kuptoi se ndarja dhe bujaria nuk janë vetëm gjëra të mëdha; edhe një copë e vogël ëmbëlsire mund ta bëjë një mik të lumtur. Arti kuptoi se lumturia rritet kur ndahet me të tjerët. Dhe kështu, ditëlindja e tij u bë më e bukura ndonjëherë, jo për shkak të ëmbëlsirave, por për shkak të zemrës së tij të madhe.