Mbrëmje peotike me Kumrie Avdyl Shala

Kumrie Avdyl Shala

RRËNJË, FIS, PLIS E LIS
Këto poezi ua dedikoj trungut,
fisit e plisit, rrënjëve që më mbajtën të fortë.
Më dhanë identitet, kulturë, karakter, guxim,
më mësuan buzëqeshjen e ëmbël, dashurinë e pastër,
të mos mashtroj, të mos tradhtoj,
të jem humane, liridashëse, njerëzore.
E ata ishin prindërit e mi, hijet që qëndruan nën diellin tim,
zemrat e tyre nuk pushojnë kurrë së rrahuri për mua.
Për mua dhanë çdo frymë, çdo thesar të jetës, deri te vdekja, me dhurimin më të madh që mund të japë njeriu.
Ata që bëjnë diellin të lindë aty ku perëndon,
që shkretëtirën e shndërrojnë në tokë pjellore,
ata që mbjellin dashuri të mëdha,
për të cilat vetëm vdekja mund ti ndajë.
Rrënjët e mia janë gjak, dashuri dhe kujtime,
trungu im është guxim dhe shpirt i paçmuar,
Për plisin që më mbron është çdo buzëqeshje,
çdo sakrificë, çdo gjest që më bënë ajo që jam edhe tani.
Rrënjët, fisi e plisi jon i bardh.
HEKURI KUR FTOHET
Nuk dua të shkruaj për dashurinë,
sepse askush nuk e njeh sa unë.
Nuk dua të shkruaj për lulet,
sepse lulet i dua shumë.
Nuk dua të shkruaj as prozë e poezi,
sepse mes këtyre të dyjave
më ka kaluar jeta.
Nuk dua të shkruaj për dëshirat dhe ëndrrat,
sepse dua ta jetoj të vërtetën.
Nuk dua të shkruaj për patriotizmin,
sepse faqezinjtë e kanë përlyer.
Nuk dua të shkruaj për moralin,
se atë e ka ngrënë qeni.
Nuk dua të shkruaj për ty,
sepse u bë e tepërt.
Kujdes, se hekuri, kur ftohet, nuk kthehet më.
ASNJË PENDESË
Sa do që të jetoj,
do të zbres në humnerën e shpirtit tënd pa frikë,
të rri këmbëkryq
në strofullën tënde kokëlarte.
Edhe nëse do të digjem vetëm unë,
s’ka gjë.
E nëse ti shpëton,
nga unë nuk do të ketë
asnjë pendesë.