Caste poetike me Migel Flor

Migel Flor

Besim mbi frikë

Brinjake?
Po kocka nuk rritet pa gjak,
as shpirti pa një plagë
që koha nuk e mbyll.

Barkushe dua të bëhem,
jo për të fshehur dhimbjen,
por për ta rritur si fryt në errësirë.

Dua të të mbaj nën brinjë,
aty ku fryma ndalet për një çast
dhe mendimi hesht
nga frika se mos thyhet.

Të të mbaj si një rrahje të huaj
që bëhet e imja pa pyetur.
Ritmin e vargut të zemrës ta kap,
jo me dorë,
por me atë dridhje që vjen para lotit,
me atë peshë që fjala s’e mban
dhe trupi e merr si të parën.

Të bëhem bark i mbushur me pritje,
në net pa hënë, në qiell me terr,
me prekje që rriten ngadalë,
si kockë mbi kockë,
si brinjë mbi brinjë,
të ngjitura nga lëngu
që lidhet me mishin,
si besimi me frikën.

Nëse duhet gjak, le të jetë i imi.
Nëse duhet dhimbje,
le të më rënkojë emrin tënd.
Se vetëm kështu lind diçka e gjallë:
kur zemra rreh jashtë vetes
dhe, e bindur në lëndesën e fryrjes së aritmisë,
pranon të mos kthehet më
në formën e saj.

(Nga libri: “Bukuri që çarmatos errësirën”)