Përgatiti Vjollca Aliaj:”Gratë në ART”

Përgatiti Vjollca Aliaj

“Gratë në ART”

Sot, në ambientet e Galerisë së Arteve në Vlorë, u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe festive ekspozita “Gratë në Art”, e organizuar nga Qendra e Kulturës në bashkëpunim me Shoqata  “Laskarina Bubulina”-“Gratë e Detarëve Shqiptarë – GDSH dhe të tjera gra të apasionuara pas artit, në kuadër të festimeve për 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Ekspozita solli para publikut një mozaik të pasur krijimtarie me piktura, fotografi dhe shumë punime të bukura artistike të realizuara nga vetë zonjat anëtare të shoqatës. Këto krijime shpalosën jo vetëm talentin dhe pasionin e tyre, por edhe përkushtimin për të mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore dhe vlerat artistike që përcillen ndër breza. Aktivitetin e përshëndeti drejtoresha e Qendrës së Kulturës, znj. Anxhela Kapllani, e cila vlerësoi kontributin dhe energjinë krijuese të grave artiste, duke theksuar rëndësinë e artit si një hapësirë ku shprehen ndjenjat, kujtesa dhe identiteti kulturor. Gjithashtu përshëndeti kryetarja e shoqatës Vjollca Aliaj  e cila falënderoi të gjitha anëtaret për pjesëmarrjen dhe përkushtimin në këtë aktivitet të veçantë. Fjalë përshëndetëse mbajti edhe anëtarja e shoqatës Lulzime Malaj, duke ndarë mendime të bukura mbi rolin e gruas në art dhe në shoqëri. Një moment i ndjerë i aktivitetit ishte ai letrar, ku një studente, lexoi poezi të poeteve anëtare të shoqatës Zamira Agalliu, Vjollca Aliaj, Lulzime Malaj, Zamira Mezuraj. Gjithashtu u prezantuan edhe librat me poezi të poetes Lulzime Malaj dhe me poezi e prozë të Vjollca Aliaj, duke i dhënë ekspozitës një dimension të veçantë artistik dhe poetik. Atmosfera u pasurua edhe më shumë nga momentet e bukura të fotografive mes zonjave pjesëmarrëse, që përjetësuan këtë ditë të veçantë miqësie, arti dhe bashkimi. Në përfundim, si shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje, drejtoresha Anxhela Kapllani dhuroi karafila për të gjitha zonjat e pranishme, duke e bërë këtë takim edhe më të ngrohtë dhe simbolik. Ekspozita “Gratë në Art” u kthye kështu në një festë të vërtetë të krijimtarisë, elegancës dhe forcës së gruas, duke bashkuar artin pamor, fjalën poetike dhe emocionet në një aktivitet të bukur e domethënës.