Përgatiti Gladiola Jorbus
Ghosting: Heshtja që u bë dukuri shoqërore
Në vitin 2016, termi ghosting u bë i njohur globalisht si një fenomen i ri social që po shfaqej gjithnjë e më shpesh në marrëdhëniet moderne. Që atëherë, ai është studiuar gjerësisht, sidomos në vendet nordike, ku dinamika e komunikimit dhe kultura e distancës emocionale e kanë bërë këtë sjellje edhe më të dukshme.
Në epokën e teknologjisë, mesazhet dërgohen brenda sekondash dhe komunikimi është bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme. Ndaj tingëllon e çuditshme, se sa shpesh njerëzit zgjedhin të zhduken pa fjalë. Ky fenomen i njohur si ghosting, është bërë pothuajse normalitet, por normalitet nuk do të thotë domosdoshmërisht i shëndetshëm.
Ghosting nuk është thjesht një moskthim mesazhi. Është një mbyllje e papritur, një heshtje që bie si perdja e skenës dhe tjetri mbetet me pikëpyetje. Dhe ajo heshtje, sado e padukshme të duket, ka peshë.
Sepse njeriu ka nevojë për qartësi. Kur dikush largohet pa shpjegim, mendja nis të kërkojë arsye, të analizojë çdo detaj, të fajësojë veten. Kjo krijon pasiguri, dyshime dhe një ndjenjë të hidhur refuzimi. Në thelb, ghosting është një mungesë e thellë respekti emocional.
Nuk ka rëndësi nëse njohja ka zgjatur një javë apo një vit. Çdo njeri meriton një mbyllje, një fjali, një shpjegim minimal që s’e lë të endet në mjegull. Kaq. Një fjali që i jep tjetrit dinjitetin që meriton dhe lë pas një ndërgjegje të pastër. Nëse një marrëdhënie, njohje apo bisedë nuk po funksionon, është krejt normale. Ajo që bën diferencën është mënyra si e mbyllim.
Mund të thuash thjesht: “Nuk po e ndjej më këtë lidhje’’; “Nuk jam në fazën e duhur për të vazhduar” apo “Më duhet të tërhiqem, por e vlerësoj kohën që kemi folur.”
Shpesh, arsyeja nuk ka të bëjë me personin që lihet pas, por me atë që largohet. Mund të jetë frika nga përballja, mungesa e pjekurisë emocionale, dëshira për të shmangur konfliktin, dashakeqësia, negativiteti ose thjesht paaftësia për të qenë i sinqertë. Por pavarësisht arsyeve, ghosting mbetet mënyra më e gabuar.
Të zhdukesh është e lehtë. Të flasësh me ndershmëri kërkon karakter.
Nuk kërkohet një bisedë e gjatë, as një analizë e thellë. Mjafton një mesazh i thjeshtë, i qetë, i sinqertë. Diçka si: “Nuk dua të vazhdoj më këtë komunikim, por të uroj gjithë të mirat’’, ose ’’Më fal, por s’të shkruaj dot më’’.
Këto fjalë nuk dëmtojnë. Përkundrazi, shërojnë.
Ghosting është një plagë e heshtur që mund të shmanget lehtësisht. Ne nuk mund të kontrollojmë gjithmonë ndjenjat tona, por mund të kontrollojmë mënyrën si i trajtojmë njerëzit. Dhe mënyra si i trajtojmë të tjerët tregon shumë për ne.
Të jesh i sinqertë nuk është gjithmonë komode, por konsiderohet e drejtë.



