Nga Gladiola Jorbus
Gjurmët tona digjitale dhe roli i tyre
Sot, pothuajse të gjithë e kanë internetin pjesë të pandarë të jetës. Ne postojmë foto, shkruajmë komente dhe ndajmë gjëra pa menduar se
çfarë mund të ndodhë më vonë. Por gjithçka që bëjmë online, lë një gjurmë e cila quhet gjurma jonë digjitale.
Gjurma digjitale do të thotë se ajo që ne publikojmë mund të ruhet, kopjohet dhe të shpërndahet më tej, edhe nëse ne vetë e fshijmë. Një
foto që mund ta ndajmë vetëm me disa persona, mund të përfundojë në dur të gabuara, një shaka a meme mund të keqkuptohet apo një
informacion që dukej i parëndësishëm, mund të shkaktojë polemika të mëdha. Në internet gjërat mund të marrin konotacione dhe perspektiva të tjera.
Kjo mund të ndikojë negativisht në reputacionin e njerëzve dhe të sjellë paragjykime. Për fat të keq, thashethemet online përhapen shpejt, pa
asnjë filtrim a kontroll për vërtetësinë e tyre duke dëmtuar imazhe e profile të caktuara, reputacionet, miqësitë, marrëdhëniet dhe mënyrën se
si e shohim njëri – tjetrin.
Në rastin më të keq, mund të ndikojë edhe në profesionet apo punësimet e ardhshme, sepse shumë punëdhënës mund të kenë prirje
të kërkojnë informacion në rrjete sociale, para se t’i punësojnë kandidatët potencialë. Prandaj është e rëndësishme të thellohemi, para se të
ndajmë diçka duke pyetur më parë veten: A do të doja që ky postim të ekzistonte pas tre apo pesë vitesh?! Mbi të gjitha duhet të respektojmë më shumë privatësinë e gjithsecilit. Të ndash foton apo informacionin e dikujt tjetër pa pyetur, mund të sjellë dëme të pariparueshme.
Interneti është një vend i mirë për të qëndruar në kontakt me të tjerët, por që të jetë edhe një vend po aq i sigurt, kjo varet nga përgjegjësia
jonë për atë që publikojmë dhe mënyrën se si i trajtojmë të tjerët.
Gjurma jonë digjitale na ndjek e përndjek më gjatë sesa mendojmë, prandaj është e rëndësishme të jemi të kujdesshëm dhe të
mendojmë mirë para se të shtypim “publiko”.



