Kadri Tarelli shkruan:ALI BALLIU NË NJË LIBËR TË “VEÇANTË”

Kadri Tarelli shkruan:
Njeriu i mençur nuk kënaqet se iu zgjat jeta e tij, por nëse ka bërë diçka për jetën e të tjerëve, të popullit të vet.

Agim Shehu. Poet

ALI BALLIU NË NJË LIBËR TË “VEÇANTË”
“Sportistët më të mirë në vite”.

(Futbolli)

Në të premten e fundit të Marsit, 27. 03. 2026, një grup shkrimtarësh nga Durrësi; Shpendi Topollaj, Merita Kuçi Thartori, Zemrita Hereni dhe unë Kadri Tarelli, u ndodhëm në shkollën 9-vjeçare të fshatit Katund-Sukth, në Komunën Katundi i Ri, në rrethin e Durrësit. Ali Balliu, specialist bujqësie, tashmë edhe shkrimtar, përuroi librin e tij më të fundit, “Sportistët më të mirë ndër vite”. (Një studim, “Monografi”).
Falënderojmë drejtoren e shkollës, znj. Alma Kaziu, e cila si dashamirëse e librit dhe veprimtarive letrare, prej kohësh na mirëpret si kolegë dhe miq të vjetër, të kuvendojmë dhe shpalosim botimet tona letrare dhe studimore, më të fundit. Nuk ka më bukur për një shkollë, ku nxënësit dhe të rinjtë njihen me shkrimtarët dhe botimet e tyre.
Përgëzoj autorin për guximin dhe durimin për të shkruar këtë libër modest, ku që në titull thuhet “Sportistët më mirë ndër vite”, por që flitet kryesisht për futbollin, këtë sport magjik, që përfshin gati të gjithë fëmijërinë dhe rininë e të gjithë vendeve dhe popujve të botës, sikurse edhe të Shqipërisë. Në faqe libri autor balliu shkruan, një thënie me vlerë: – ”E dua shumë njeriun që lakmon të pamundurën”, thotë shkrimtari i njohur gjerman, Johann Wolfgang von Goethe. (Gëte). Jo më kot edhe miku ynë sportisti dhe tifozi Ali Balliu e pëlqen, e
përdor dhe e ve në jetë këtë shprehje magjike. Ai nuk bëri gjë tjetër, veç lakmoi dhe realizoi të pamundurën. E nisi si me shaka, por e mbaroi me seriozitet, Më pëlqen hyrja e librit, dhe “Ftesa për të lexuar”, si një udhërrëfyes i urtë që na merr përdore dhe na çon në fushën e blertë të futbollit, në pallate sporti, në fushat e volejbollit e basketbollit, në tapetin e mundjes apo ringun e boksit, ku dëgjohet vetëm bilbili i arbitrit, por edhe brohoritjet e sportdashësve. Në këto përmbledhje të shkurtër, autori i jep sportit hapësirën mbarë-shqiptare, në të gjitha trevat ku flitet shqip.
Nuk kam ndërmend të analizoj përmbajtjen e këtij libri, duke mos hequr kureshtjen e gjithsecilit këndonjës, por më duhet të theksoj se ky libër është i “veçantë”, dhe unë vërtet e quaj të veçantë, mbasi përfshin një pjesë të jetës sonë, kohës së fëmijërisë dhe rinisë, kur mund të merreshim me sport, si një veprimtari argëtuese, por me vlera të mëdha kalitje dhe shëndeti. Sporti nuk bëhet për të kënaqur të tjerët, bëhet për t’u argëtuar vetë, për shëndet, forcë dhe bukuri fizike. Autor Ali Balliu, ka gati një vit që ka nisur këtë punë dhe më së fundi e bitisi
me sukses. Ai e di se ç’ka hequr, sa ka lexuar, sa ka shënuar, sa ka udhëtuar e sa ka shpenzuar, për të mbledhur material, më pas për ta punuar e shkruar, për ta bërë libër. Cilido nga ne, kur ka në dorë librin, shikon si fillim kapakun e më pas përmbajtjen, por asnjëherë nuk pyet për mundimin dhe “vuajtjet” e autorit. Nga përvoja them, se një libër është i mirë, kur ka brenda jetë dhe mbështetet mbi të vërtetën. Ndërsa një libër thuhet “I bukur”, kur gërshetohet edhe me artin e fjalës, frymëzimi dhe magjia e krijimtarisë letrare. Diku kam shkruar: “Mjerë ai krijues që niset të shkruajë “Monografi”, pasi ky lloj libri mbetet si magazinë e pa mbyllur, me portën hapur për të pranuar vërejtje, dokumente të tjerë, që nuk u grumbulluan në kohë. Mos themi më tej, qejf-mbetjet e personave që janë brenda librit dhe ata që
nuk janë përfshirë në të”. Me këtë rast dua që t’i heq merakun autorit, i cili nuk ka dëshirë që dikujt t’i mbetet qejfi. Nga përvoja po i them: – Mos u mërzit….! Shumë do të lëvdojnë, por shumë edhe do të shajnë. Unë mund të përmend shumë shembuj pakënaqësie, por
nuk është ky momenti.
Libri i mikut tonë Aliut, peshon më shumë te “Libri i mirë”, pasi e gjithë përmbajtja, me emra skuadrash e sportistësh, merr karakterin e një libri historik dhe historia është plot naze, nuk pranon zbukurime, pasi mbështetet në fakte, dokumente pa kaluar në frymëzim letrar.
Vlera e vërtetë e librit është zbulimi i figurave që krijuan dhe udhëhoqën sportin shqiptar në qytet dhe në fshat. Gjithçka me fuqinë e trupit, mendjes dhe shpirtit të tyre, për ta bërë jetën më të bukur, më të shëndetshme, duke shfrytëzuar mundësitë që të afron koha.
Janë kujtime të bukura të lëvizjes sportive amatore edhe në fshatin Sukth- Katund. Bëhet fjalë për vitet 1970 e më tej. Gjergj Musteqja mbledh shokët, firmon skuadrën dhe si pa dashje bëhet “Trajneri” i saj. Madje mundi të sajojë edhe nga dy kostume sporti për secilin pjesëtar të ekipit. Qeshim kur e kujtojnë gëzimin dhe mburrjen e gjithsecilit, kur vishej me uniformë sporti.
Në libër me shumë kursim fletët për një ngjarje të viteve 1992-1993. Në ato vite, kur ndodhën ndryshimet demokratike, futbollisti dhe basketbollisti Met Kaja, nga Katundi i Ri, u ndodh në një situatë kritike. Ai sapo kishte filluar punë në Shkollën e Mesme, që sot mban emrin “Jusuf Hoti”, në Katund të Ri, ku drejtor ishte vetë autori Ali Balliu.
Mbrapa shkollës është terreni sportiv, me një fushë të madhe futbolli, me përmasat e një fushe olimpike. Fushë e mirëmbajtur dhe e drenazhuar vite më parë, me kujdesin dhe nxitjen e mësuesit të kulturës fizike Pashk Sinani. Në këtë fushë të lakmuar, shpesh ekipet e Shijakut dhe të Durrësit, vini e zhvillonin stërvitje dhe ndeshje futbolli. Banorët përreth, duke përfituar nga rrëmuja politike dhe pafuqia e
pushtetit lokal, tentuan të zaptojnë tokën, pikërisht në fushën e futbollit, për truall shtëpie, me pretendimin se dikur ishte e tyre, që nga koha e Monarkisë.
Met Kaja, sportisti ynë, ndërhyn fuqimisht, duke shkulur hunjët e ngulur nga familjarët, të cilët u tërhoqën përfundimisht. Faqe 68. Kaq mjaftoi. Fusha i mbeti pronë shkollës dhe rinisë së fshatrave të Komunës së Katundit të Ri.
Qofsha i gabuar, por ky gjest është i vetmi, për të mos thënë i rrallë në mbarë territoret e ish kooperativave, ku u prishën terrenet sportive. Gjykoj kështu, pasi fushat e futbollit në Qerret, Jubë, Shënenprene, dhe Sukth-Katund, nuk janë më.
(fshatra të ish Koop. Katund i Ri).
Më vjen mirë që, pak dit më parë, Bashkia e Durrësit ka akorduar fonde dhe një projekt, për të sistemuar fushën, për t’i dhënë pamje stadiumi me shkallë dhe pistë të shtruar e vizuar. Fusha mbeti pasuri e rinisë.
Faleminderit Ali balliu. Sa gjëra të bukura lexon e mëson nga ky libër i thjeshtë. Ju vetëm sa kini hapur portën apo dritaren e krijimtarisë, për të gjithë ata që e duan sportin dhe kanë nderim për sportistët.
Jam i bindur se ky libër është një model, ku mund të mbështetet çdo krijues, me shpresë se kjo punë e nisur do të vazhdojë në breza.
Nuk ka më bukur, se kur veprimtaria jetësore shkruhet dhe mbetet në histori,
si dëshmi për brezat e rinj.
E gjithë veprimtari u drejtua nga poete Merita Kuçi-Thartori. Në këtë takim folën: Shpendi Topollaj, Alma Kaziu, Besim Dema, Gjergj Musteqja, Filip Çela, Met Kaja, Ylli Mara, Krenar Mema (Drejtor i shkollës së mesme “Jusif Hoti”, Katundi i Ri,
Mes tyre edhe unë që po shkruaj këto pak radhë, duke shtuar diçka të veçantë: Besoj nuk e teproj të shpreh edhe një mendim dashamirë, për artin dhe lëvizjen artistike amatore në zonën e Katundit të Ri, Ku grupi artistik i Koop. ka marrë pjesë në festivale, jo vetë lokale por edhe ato Kombëtare, madje edhe në Gjirokastër. E kam fjalën për z. Nikolla Priska, ish mësues, drejtor shkolle, Kryetar Komune, por instrumentist i kudondodhur, pjesëtar i grupeve amatore të Koop. Tashmë pensionist. Ai me mandolinën e tij ka shoqëruar të gjitha veprimtaritë
artistike, mos themi edhe takime shokësh e kolektiva mësuesish e artistësh, jo vetëm në fshat, por edhe në qytete të tjerë. Kujtesa nuk i mungon, njëkohësisht edhe shumë nga “Artistët” e hershëm, janë ende gjallë dhe mund të ndihmojnë me kujtime dhe fotografi. Pse mos marrë mundimin t’i përmbledhë në një libër, ato veprimtari që dikur gëzonin të rinj e të moshuar…….? E di që ka mundim, por do t’i lesh kohës një dëshmi, për të kujtuar, e mos u harruar…..!.
Në të tilla kuvend librash u mbledhshim përherë!
Miku ynë Ali Balliu! Urime dhe suksese në libra të tjerë!. Nuk besoj se ky
është libri yt i fundit.
Kadri Tarelli
Fund marsi, 2026.