Promovohet në qytetin e Bilishtit libri “Grua – Zemra që s’Pushon” i autores Erinda Medolli
Në qytetin e Bilishtit u promovua libri më i ri me poezi “Grua – Zemra që s’Pushon” i autores së re Erinda Medolli, në një veprimtari të organizuar nga Qendra Kulturore e Trashëgimisë dhe Turizmit Devoll”. Aktiviteti u moderua me profesionalizëm nga Monika Muzikanti dhe mblodhi një numër të madh pjesëmarrësish, mes të cilëve miq, familjarë, artdashës, studentë dhe dashamirës të letërsisë. Ky është libri i gjashtë me poezi i autores, një vepër që i kushtohet tërësisht figurës së gruas, forcës së saj shpirtërore, sakrificës, dashurisë dhe qëndresës. Përmes vargjeve të saj, autorja sjell një grua që nuk dorëzohet, por ngrihet mbi çdo sfidë, duke u bërë simbol i jetës dhe shpresës. Libri është përkthyer në gjuhën angleze nga Valentina Muka, ndërsa në gjuhën suedeze nga Sokol Demaku, duke i hapur kështu rrugën lexuesve ndërkombëtarë dhe duke e bërë zërin poetik të Erinda Medollit pjesë të dialogut kulturor përtej kufijve shqiptarë. Gjatë promovimit, studentë recituan poezi të zgjedhura nga libri dhe zhvilluan një bashkëbisedim me autoren, duke drejtuar pyetje mbi frymëzimin, krijimtarinë dhe mesazhet që përcjell vepra. Atmosfera u karakterizua nga emocione, reflektim dhe vlerësim për fuqinë e poezisë. Ky promovim u shndërrua në një ditë të veçantë kushtuar gruas, duke vendosur në qendër figurën e saj si burim force, dashurie, dinjiteti dhe frymëzimi. Përmes këtij libri, Erinda Medolli përcjell një mesazh të fuqishëm: zemra e gruas nuk pushon kurrë së dashuruari, së sakrifikuari dhe së ndërtuari jetë. Promovimi u mirëprit nga publiku dhe u vlerësua si një aktivitet me rëndësi kulturore për qytetin e Bilishtit, duke dëshmuar edhe një herë se letërsia mbetet një urë e fuqishme që bashkon njerëzit dhe kulturat.



