Humor nga Bubulinoja

Autorë: Viron Kona

Humor nga Bubulinoja

                                     Gur shahu

      Atë ditë, babai i Bubulinos ishte i nevrikosur me çapkënllëqet e të birit, ndaj e thirri pranë vogëlushin 9-vjeçar dhe i tha:

           -Unë të dua si askush tjetër në botë, por ti nuk më dëgjon. Prandaj:

           -E para: Do të rrish i mbyllur brenda në shtëpi!

           -E dyta: Nuk do të bësh asnjë lëvizje,as andej-as këndej!

           -E treta: Do të fillosh të lëvizësh vetëm kur të jap urdhër unë!

           -E katërta: Do të shkosh vetëm atje ku të them unë!

           -Të pestën e di vet, – i tha Bubulinoja dhe i ofroi babait kutinë me gurët e shahut që ishte aty pranë.

      I ati i Bubulinos, qejfli i madh shahu, pa brenda kutisë  dhe kushedi pse u vrenjt.

            -Këtu mungon një gur shahu, një ushtar! Bubulino, shko  ma gjej dhe ma sill shpejt!

            -Ç`e do ushtarin, o ba?! Në vend të tij më ke mua! -i tha vogëlushi, duke qëndruar gatitu përpara  të atit…

                                 Torta me mjaltë               

            -Ku po shkojnë këta njerëz me torta me mjaltë në duar? – pyeti Bubulinoja shokun e tij suedez.

            -Po shkojnë në kopshtin zoologjik. Nëna arushë feston ditëlindjen, sot ajo bëhet 10 vjeçe. Si thua Bubulino, marrim dhe ne një tortë dhe shkojmë ta urojmë nënën arushë?

             -Shkojmë, – i tha Bubulinoja, – por e kam një pyetje: Kur të bëhem unë 10 vjeç, do të më vijë nëna arushë me tortë me mjaltë për të më uruar?

                               Dyzetë ujkonja

       Babai i Bubulinos sapo kishte botuar librin “Ujkonja”. Ato ditë një shitës librash, mori në telefon në shtëpi. Telefonin e ngriti Bubulinoja.

              -Urdhëroni! – tha ai.

              -Dua dyzetë ujkonja,- tha shitësi, – ku mund t`i marrë?

              -Mund të shkoni në pyll e t`i merrni, – iu përgjigj vogëlushi dhe mbylli telefonin.

                                  Çmimet e larta

       Bubulinoja, pa çmimet e ushqimeve në marketin e lagjes dhe  i tha pronarit:

          -Zotëri, shumë të larta i paskeni çmimet ?

          -Bubulino, ti sikur s`jeton në botën tonë, por po më flet sikur vjen nga planeti Mars?!-iu përgjigj pronari.

          -Ah, në Mars çmimet qenkan më të lira? Atëherë po sigurojmë biletat dhe po shkojmë familjarisht t`i bëjmë pazaret në planetin Mars, me siguri do të na dalë më lirë! – i tha Bubulinoja.

 

                                       Hëna

        Bubulinoja po i tregonte gjyshes 90-vjeçare madhësinë e anijes kozmike “Apollo 11”, që do të çonte njerëzit e parë në Hënë.

          –Anija kozmike,- po thoshte gjithë pasion Bubulinoja,- është e lartë sa një pallatë me 36 kate…

       Gjyshja po e dëgjonte e habitur dhe befas i tha:

           -Ç`po më thua more Bubulino, Hëna sa një kungull është, qysh do ta mbajë gjithë atë anije kozmike…?!

 

……

Shënim për kujtesë:Për herë të parë njerëzit shkuan në Hënë më 21 korrik 1969 me anije kozmike amerikane “Apollo 11”.