Z.Sokol Demaku,
Redaksisë së revistës “Dituria”, Borås, Suedi
Me hidhërim të madh ju njoftoj se më datë 15. 10. 2020 u nda nga jeta shoku dhe miku ynë Dr. Nuri Dragoj, studiues dhe gazetar i njohur shqiptar.
Dr. Nuri Dragoj është autor i dhjetëra librave historikë, studimorë e publicistikë, ndër më të njohurat: ato për Historinë e Përmetit, për personalitetin e shkrimtarit Kasëm Trebeshina, për poetin Xhevahir Spahiu, vepra për Dëshnicën dhe dëshnicarët, vepra për Prapaskenat e Konferencës së Londrës, etj. Firmën e Tij e mbajnë qindra artikuj me karakter historikë, arsimorë, socialë, kulturorë e letrarë të botuara në faqet e shtypit dhe të revistave brenda dhe jashtë vendit.
Dr. Nuri Dragoj është një kontribues i madh i dijes dhe i mendimit të spikatur, autor i shumë studimeve dhe artikujve publicistikë e letrarë në revistën “Dituria” të Shoqatës Kulturore Shqiptare ”Migjeni” të Boråsit, në veprën “Thesari Kombëtar”, organ i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi; autor i shumë artikujve e studimeve në gazeta, portale dhe revista të tjera shqiptare në mërgatë.
Me ndarjen nga jeta të Dr. Nuri Dragoj, familja humbi njeriun e saj të dashur, shoqëria shqiptare humbi një penë të mprehtë, të mençur dhe aktive në çështje të historisë, të kulturës, gjuhës shqipe dhe të traditave kombëtare shqiptare, kurse ne humbëm njeriun e mirë, shokun e rrallë, modest e gojëmbël, i cili do të na mungojë shumë.
Qoftë i paharruar kujtimi i mikut dhe shokut tonë të dashur dhe të paharruar Dr. Nuri Dragoj!
Viron Kona
Tiranë, më 16.10.2020