Bashkim Saliasi
Zanati ka hilen e vet,
secili ruan një sekret,
është si kyçi me kode,
e përdor në raste komode.
AKREPI
Edhe pse i vogël shumë,
të ngjall tmerr e frikë,
nëse një ditë të pickon,
me vështirësi helmimin kalon.
MORRI
Një ditë morri në një stan,
i futet çobanit nën jorgan,
çobani nga morri shpëtoi,
dogji jorganin me dhe e mbuloi.
SHQIPËRI
Të vegjlit të mbijetojnë, s’është e lehtë,
i kafshojnë pak nga pak të mëdhenjtë,
historia dëshmon, me fakte flet,
u mbijetove shekujve, emri yt mbet.
POPULLI
Populli është një dele e urtë,
e mjelin me votë partitë,
sa marrin pushtetin një ditë,
e rrahin me taksa, i shtrëngojnë burgjitë.
DOBIÇI
40 ditë thonë, dobiçi rri,
sa mëson të flasë e të shohë me sy,
tërë kopenë zë e pi,
fut në sherr fshatin e çdo shtëpi.
KUJTIMET
Kujtimet vijnë heshtur e shtruar,
si uji i burimit ndanë pyllit me gjethe,
kur vapa shtrëngon, e lodhja ka kapluar,
kujtimet të çlodhin, të sjellin në vete.
NËNA
Sa ëmbël tingëllon,
si ylber rrezaton,
tingulli “nënë” simfoni,
nga fëmijëria në pleqëri.
Emri yt, nënë,
është thesar magjiplot,
e thërresim bëhet këngë,
gëzime fal, jetë e mot.
MENDIMET
Lumenjtë dhe mendimet përherë,
më ngjajnë si dy bashkudhëtarë,
lumi në ara bëhet bereqet në verë,
mendimet në letër histori me vlerë.
BEHARI PO VJEN
Çeli kumbulla e pasoi molla,
në bulevard dolën vajzat belholla.
Të lumtura e të gëzuara janë “të tana”,
sikur këtë pranverë lule po çel thana.
Behari po vjen, lajmin kumbulla na sjell,
pranvera e bukur vezullon me plot diell.
Plazhet do gumëzhijnë si kosheret me bletë,
i shijojnë turistët, shqiptarët vajmedet…