Nga Gladiola Jorbus:‘’Sofra poetike’’ mirëpriti miqtë poetë Një mesazh zemre 

Nga Gladiola Jorbus

‘’Sofra poetike’’ mirëpriti miqtë poetë Një mesazh zemre 

25 Maji përkon njëherazi me datëlindjen e të pavdekshmit Naim Frashëri dhe me një sërë aktivitetesh që frymojnë kudo ku jetojnë shqiptarë. Edhe një herë poezia vërtetoi të qenit një urë e rëndësishme lidhëse me njerëzve dhe gjuhëve. Në Borås, në zemër të Suedisë u organizua festivali poetik ‘’Sofra poetike 2024’’. Miq e dashamirës, poetë e artdashës u mblodhën në sofrën e shtruar nga shoqata ‘’Migjeni’’ dhe kryetari i saj, vikingu shqiptar Sokol Demaku. Të ftuar nga Shqipëria, Greqia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe, Norvegjia e Suedia lexuan vargje, ndanë mendime e fjalë zemre. Tingëlluan bukur fjala shqipe, metafora poetike, vallja e kënga popullore e finalizuar në një poezi / kurorë me tekst nga Rizah Sheqiri e interpretuar nga poetesha suedeze Louise Harvaldson. Festivalin e nderuan me prezencën e tyre redaktorja letrare Jeta Hamzallari dhe profesoresha e poetja e talentuar Merita Kuçi nga Shqipëria, nga Kosova aktori, poeti dhe humoristi Ismet Krasniqi – Lala, nga Greqia anëtar të shoqatës “Vëllazërimi”, nga Londra miku ynë Fatmir Terziu, nga Stokholmi Zylfije Gërvalla, nga Maqedonia e Veriut poetja Sadije Haliti dhe gazetarja Behare Neziri, nga Norvegjia Emine Hoti dhe anëtarët e shoqatës së shkrimtarëve: Ramadan Kovaçi, Erjona Mukaj, Bardh Nengurra, Ylldije Sulka dhe Erinda Medolli, pastaj miqtë suedez të cilët janë të pandarë nga aktivitetet e ‘’QKSH Migjeni’’ Louise Halvardsson, Henrik Mimmerson, Ingeli Aallto, Magnus Lingren, Zara Hassan. Aktori i mirrënjohur Ismet Krasniqi Lala, mësuesi Afrim Berisha, poeti Remzi Basha, dhe mësuesi Mustafë S. Berisha ngritën peshë publikun me vargjet naimjane të shoqëruara me çifteli dhe meloditë me fyell. Një nga çastet më të bukura të manifestimit ishte dhe parada e kostumeve kombëtare të kompozuara nga Emine Hoti. Nuk mund të lëmë pa përmendur kontributin e mësueses së gjuhës amtare Qerime Gurguri me interpretimet e fëmijëve, të nënkryetarit të shoqatës ‘’Migjeni’’ Hamit Gurguri, të poetes Anxhela Ziso, anëtarëve Aleksandër Ziso e Xheladin Shabani, Vjollca Nord vajzave të reja Ioanna Jorgollari, Liza Januzi, Marisa Jatro e Tuana Hoxha të cilat performuan bukur vallen popullore shqiptare të trevave jugore e veriore. Miqtë e ardhur nga Greqia ishin një vlerë e shtuar dhe me kontributin e tyre në polifoni, poezi e vallëzim vërtet që i dhuruan shumë gjallëri e bukuri manifestimit artistik. Emocionet do të na shoqërojnë gjatë dhe do të na motivojnë për angazhime e ndërmarrje të mëtejshme akoma më serioze.