Me poezinë e Elvira Zeneli

Elvira Zeneli
NË NJË GJETHE-SHTËPI…!
Më mjaftoi ajo gjethe shprese
E u ngrita lart në ajri…
S’e di si m’u shfaq,
Si m’u fanit,
Si m’u bë cipë e mëndafshtë
Ku u mbështolla unë
Larva delikate
Prej ajri e drite!
Udhëtova mbi të
Si mbi një varkë nomade
Në hapsirën e pafundme
Ku shoqëri më bënte herë flladi e herë stuhia.
Gjethja ime,
Magjia ime,
Trupi im i blertë,
Shtëpia!
… Dhe dikur,
Dikush,
Hyri në kështjellën time tjerrur me fije ëndrrash,
Brenda shpirtit hyri,
Si simfoni e 9-të
E ndezi pentagramin e Valsit të Lumturisë.
Sa bukur ishte
Kur mbi piano flinim të dy!
… O zot!
Mos ma humb këtë gjethe-shtëpi!