Elvira Zeneli
SLITË E BARDHË
Atëherë kur vdekja m’i kishte mposhtur dëshirat,
Kur e shkuara ma kishte fshirë të tashmen,
Kur në argjilë isha skulpturuar,
Kur dashuria kishte rënë në gjumë të thellë
E trenat s’udhëtonin më shumë larg,
Atëherë ti erdhe dhe hyre në jetën time
Nga qielli i rastësisë.
Dhe ndërtuam slitën tonë të udhëtimit
Nëpër borëra siberiane,
Tërhequr nga drerët e veriut
E ku ne ndjeheshim Babagjyshë të kamufluar!
E sfidova vdekjen
Në një tjetër drejtim kohor,
Ku shigjeta e busullës,
Pas dridhjeve të mundimshme,
Gjeti Yllin e ri Polar,
Yllin Afërditë,
Yllin e Dashurisë!
Fjala u bë art,
U bë muzë e shpirtit,
Në kreshpat e lartë të fshehtësisë
U dëgjua pa frikë!
… I dashur, mos ma ul ritmin e slitës,
Rri pranë meje,
Mos guxo të vdesësh si dikur,
Mos ik prej asaj ç’ka Zoti na ndërtoi!
Unë jam një shtrigë e bardhë,
Më e bardhë se kjo dëborë nën slitën tonë
Ku përditë ngremë çarqe mes pyllit
E herë të kap
E herë më kap!
Kapemi!
Mos guxo të vdesësh para plakjes sonë,
As përtej saj!
Ne duhet të mbetemi fëmijë
Që përjetësisht të kërcejmë në natën me hënë e me yje
Të zënkave tona erotike!
… Kështu krillat do sfidojnë lartësive
Edhe shkretëtirat e bardha siberiane!