Mbremje poetike me poezite e Elvira Zeneli

Elvira Zeneli
JAM QETËSIA PARA STUHISË!
I dashur,
Si ta them që edhe kjo mbrëmje
Më doli ziliqare?
Dashuria ime ende ka formën e shpirtit
Me duart si një kosh i thurur
Duke mbledhur copëzat e zemrës së thyer!
Ruaji të gjitha, i dashur!
Ato marrin frymë në duart e tua
E gjatë do jetojnë!
Mos m’u inatos
Nëse asgjë nuk është ashtu siç e do!
Kurorat e lisave të gjelbër kam mbi krye
E flladitem nën hijen e tyre,
Më japin qetësinë e bukur
Që plas nën hije e dashurisë,
Teksa hëna kalon në udhën e saj pranë meje.
… Ja, një yll ra
Si dëshirë e fundit
Në këtë stinë të nxehtë vere
Ku vapa përvëlon me ritmin e valëve të detit.
Unç notoj mbi ujë
E hyj në bujtinën time të dashurisë
E vetme,
Aty fle,
Ndërkohë që ora,
Tik-tak,
Si zemra e gruas në duart e burrit
Shkon udhës së kërkuar,
Pa u prekur nga askush.
E di!
Jam bërë e tejdukshme,
Prej ajri që bëhet erë,
Jam grua e dashuruar deri në pafundësi
Që pret të bëhet stuhi!