Elvira Zeneli
VETËRRËFIM
Ne të dy ndajmë çdo mëngjes të njëjtin mendim,
deri në mërzi!
Kur vjen mbrëmja,
nën sharmin e saj ndajmë të njëjtën magji!
E ndjen, i dashur,
që paskemi të njëjtën kimi?!
… Sa herë që ti fal nxitimin tim naiv,
si burim eksitimi,
aty unë përmbytem në djersën-det të pasionit
ku me fjalët pa doganë
peshkojmë njeri-tjetrin
dhe bekojmë të uruarin grep!
…Oohh, sa ngjajmë,
i dashuri im,
edhe dhimbjet brinjë më brinjë
i kemi të njëjta
tek lëvizim gishtat në tekat e unit
e peshat na kthehen në pupla
e padashje bëhemi fëmijë!
Të besoj me gjithë qenien time prej femre,
gojë më gojë,
trup më trup e shtrat më shtrat,
si një verë e kuqe që kthehet me eks!
… Ne dimë të ulemi bukur dhe në fronet e tavolinës
ku soditim njëri-tjetrin aq ëmbëlsisht,
në pritje të gjuhës së trupit
që do shkërmoqet më pas në flokë të kokoklepsur
në ëndërrat shtratore!
… I dashur,
më ke bërë më humane,
më kristaline,
më çmendurore!
Kështu dua të më shohësh,
të më ndjesh,
si një teh shpate
që ciflat e bombave ose t’i operon e t’i nxjerr,
ose të vdes!