Valentina Muka:POETI I NJOHUR SHQIPTAR QE JETON NE BOSTON, INXH. KASTRIOT FETAHU

Nga : Valentina Muka, autore e librit “Udhet e Eves”, 

Toronto, 30 Gusht, 2024

POETI I NJOHUR SHQIPTAR QE JETON NE BOSTON, INXH. KASTRIOT FETAHU

Të gjithë e njohim poetin e njohur Kastriot Fetahu. Ajo që e bën atë të veçantë dhe të dallueshëm nga të tjerët nuk është vetëm krijimtaria e tij e pasur, elegante dhe artistike, por edhe numri i madh i ndjekësve në faqen e tij. Ka kaluar një kohë e gjatë, gati si një rutinë, që çdo të premte poeti publikon ose ndonjë poezi, ose ndonjë ese, që i qëndis me mjeshtëri, nga çdo këndvështrim që të shikosh.

Ajo që dua të theksoj është koha që ai i kushton çdo komenti, qoftë i gjatë apo i shkurtër, qoftë nga një poet i njohur apo nga një lexues i thjeshtë që shpreh mendimin ose kënaqësinë e leximit të shkrimit. Mirënjohja që poeti Kastriot shpreh ndaj lexuesve është një kohë e veçantë dhe e duhur që ai lë, ashtu si dhe për kohën që i duhet për të shkruar. Me sa etike dhe me fjalë të zgjedhura që burojnë nga shpirti i tij i pastër e të gjerë, ai i përgjigjet me durim çdo lexuesi apo komentuesi. Përveç krijimeve të tij, në këtë pikë ne shohim kulturën e tij, njihemi me personalitetin e tij, jo vetëm si poet, por edhe si qytetar civil që vlerëson çdo koment.

Me Kastriotin jemi shokë fëmijërie dhe moshatarë. Ne u lindëm e u rritëm në të njëjtin qytet, Kucovë, dikur Qyteti Stalin. Edhe pse ishim në shkolla të ndryshme në shkollën e tetëvjeçare dhe të mesme – unë kam përfunduar gjimnazin dhe Kastrioti shkollën e mesme të teknikumit të naftës në Kucovë – ne ruajtëm respektin dhe simpatinë për veten dhe për prindërit tanë.

Duke pasur mbiemrin e bashkëshortit, dhe edhe pse e kisha hapur faqen time në Facebook për vite me radhë, shumë bashkëqytetarë të mi nga Kucova nuk më njihnin me këtë mbiemër. Në vitin kur në Shqipëri, si dhe në të gjithë botën, në periudhën e pandemisë së COVID-19, unë dërgova disa ndihma në një shkollë tetëvjeçare në Kucovë për të blerë termometra të cilësisë së lartë, dezinfektantë, maska dhe çfarëdo tjetër që mund t’u duhej nxënësve dhe stafit.

Aty në faqen e shkollës, ku stafi përmendi emrin tim dhe e bija e kujt isha, Kastrioti më dërgoi një kërkesë për t’u bërë miq në Facebook, sepse njiheshim nga vitet e hershme të shkollës. Kishim mbase 50 vite që nuk ishim parë apo të kishim pasur rast të takoheshim, qofte edhe rastësisht në ndonjë ngjarje, në rrugë, apo në ndonjë qendër pune. Unë kisha jetuar prej vitesh në Berat, pasi u martova, ndërsa Kastrioti dhe familja e tij ishin në Kucovë.

Një shprehje e Dr. Seuss-it thotë: “Ndonjëherë, nuk do ta dimë kurrë vlerën që sjell momenti, pasi ajo mbahet mend më vonë si një kujtim.” Që nga ai moment, filluam të flasim shpesh, ndërronim mendime me të dhe me bashkëshorten e tij, dhe ndjemë një miqësi të ngushtë. Ky moment gjithashtu ndryshoi jetën time. Duke biseduar me njëri-tjetrin, i thashë se po mbaja një ditar, pasi kisha mjaft kohë të lirë kur, gjatë periudhës së COVID-19, gjithçka ishte mbyllur dhe nuk shkonim në punë.

E nisa thjesht si një ditar, duke përfshirë ngjarje të kaluara dhe të tashmen, dhe këtë e bëra kryesisht për nipërit dhe mbesat që kanë lindur këtu në Kanada, për t’u treguar historinë dhe origjinën e prindërve të tyre që kanë lindur në Shqipëri. Që nga ai moment, Kastrioti më inkurajoi shumë, duke më shtyrë të vazhdoja dhe pse jo ta botoja. Vazhdova shkrimet dhe kujtimet deri në vitin 2023, kur publikova librin tim të parë, “Udhet e Eves”. Fillova të provoja edhe me poezi; nuk jam poete as shkrimtare, këtë e pranoj, por bëra të pamundurën për të shkruar historinë e jetës dhe të origjinës sime.

Kastrioti është një poet i nivelit të lartë, ku çdo ese apo poezi e tij na fal emocionet më të bukura, na shetit në vende historike të mrekullueshme apo në qendra dhe personalitete arti, dhe trajton tema nga më të ndryshmet, duke na befasuar me trajtimin e tyre njerëzor. Kastrioti është një poet me zemër të ndjeshme dhe shpirt të pastër, dhe kjo është arsyeja që çdo varg të tij e ndjejmë shumë thellë. Bota në të cilën jetojmë sot ka më shumë nevojë për njerëz, poetë dhe artistë si Kastriot Fetahu, që do të bëntë të ishte më e hapur, më e pastër, më e drejtë, dhe do të shijonim më shumë gëzime e lumturi sesa urrejtje dhe ambicie.

Ky është poeti Kastriot Fetahu, i cili, me përfshirjen e krijimeve të tij dhe mundësinë e tij për të ndikuar te lexuesit, miqtë dhe shokët me pozitivitet, kur ai prek këta shpirtërat njerëzorë, ai mbetet një njeri tjetër me shpirt. Ajo që e bën Kastriotin të veçantë janë mendimet e tij, mënyra se si i sheh gjërat dhe mendimi i tij i thellë.

Që i vogël, Kastrioti ka qenë një fëmijë shumë kurioz. Mbaj mend që lexonte libra ndoshta në një ditë, sikur i përpinte ato. Një ditë mbaj mend, mori një libër në mëngjes në bibliotekën e shtëpisë së pionierit dhe e solli po në të njëjtën ditë. Punonjësja e bibliotekës nuk e besoi se e kishte lexuar. Edhe kur prindërit i jepnin ndonjë lekë për të blerë diçka, Kastrioti shkonte direkt në dyqanin e librarisë për të blerë libra.

Ky kuriozitet, hobbi apo aftësia e Kastriotit vazhdoi gjatë, edhe pas përfundimit të universitetit. Pra, Kastrioti është një poet i klasit të lartë dhe me njohuri të akumuluara në vite nga leximi i vazhdueshëm. 

Me Kastriotin, shokun tim të fëmijërisë, kam kujtimin më të bukur, parathënien e librit tim te pare “Udhet e Eves”. Po e sjell për ju, lexues e miq të dashur.

“PARATHËNIE

Romani i autores më të re në letërsinë tonë Valentina Korçari Muka, e sjell atë si një rrëfimtare në një libë autobiografik të jetës plot turbulencë, si rrjedha e një përroi në vërshim. Ajo koncepton, imagjinon, pohon, ndjen, dyshon, zgjidh me eksperiencën e vet problemet e jetës në sagën e një gruaje që prej rinisë së herëshme të saj.

Narrativa e tij kodifikon në një unifikim dimensonesh jetët e gjithë bashkëmoshatarëve të saj dhe brezave të rritur në diktaturë e, që e gjetën veten në emigracionin e nisur me dhembje dhe plazmuar me jetën tjetër, e cila nuk e mbushi dot shpirtin dhe koret e plagëve të tij vetëm sa i shikon me trishtim në kohë të mbivendosura kohës së jetës së re.

Historia e personazhit të Evës, e interpretuar me dhembjen e penës së autores, vjen në koherencë të plotë me dhembjet tona dhe na bën protagonist pa dashur në romanin e saj “Udhët e Evës”, sikur të thonim “Udha jonë”.

Jeta e personazhit kryesor më kujtoi ngjashmërinë për nga shkalla e vuajtjeve me heroin tonë të viteve të rinisë David Copperfield, shkruar nga Charles Dickens. Eva si personazh ngërthen në vetvete dhe projekton një grua të fortë e, na mëson se shpirtrat tanë mërgimtarë janë të etur për suksesin e munguar në të kaluarën tonë vegjetative, për shkak se vendi ynë nuk na ofron resurset e duhura për të.

Shumë gra do të donin të kishin shpirtin e saj luftarak në situata që jeta të sjell pa dëshirën tënde, por që janë mbytur në mjerimin e tyre shpirtëror. Eva na kujton se sa e rëndësishme është ti vendosësh vetes objektiva duke qënë vetvetja, se sa e rëndësishme është të marrësh frenat e jetës në dorë. Ajo nuk lejoi të përbaltej dhe të përfundonte në anonimen e figurës si grua në pritje të pafundme të fatit të jetës, por kaloi barrierat femërore me “burrërimin” për t’ja dalë në praktikën e jetës së saj me ngjyra të të gjithë spektrit njerëzor.

Evës ja përvetësuan dy herë ëndrrat për identitetin që meritonte, herën e parë pse jetoi në një vend që i mohoi edhe shkollën e ëndërruar dhe herën e dytë i tjetërsuan dokumentin e emigrimit në tokën e premtuar, ngjarje që nuk e mundën dot shpirtin e saj të lodhur por luftëtar. Më ngjan shpesh herë si pionerët e arit që përshkruan London në “Kushtrimi i të parëve” me ndryshimin se ajo e gjeti “Arin” në përpjekjet titanike që ndërmori e ndërgjegjëshme se ishta rruga e vetme që jeta e saj mos të ngjasonte si dy pika uji me jetën e femijëve të etur për dije dhe të vërtetën.

Se kam kuptuar dot pse Atdheu ynë i ngjan një qyqeje, që i degdis zogjtë e saj në folet e botës dhe pse e gjejmë veten dhe na bëhet Atdhe i vërtetë ai që na pret? Nga je me të vërtetë, do ta pyesja Evën, pas kësaj jete të trazuar dhe të paqtuar në vendin tjetër… 

Në Atdheun e ri të gjithë vijnë nga vende dhe etni të ndryshme me një ëndërr të përbashkët, për ta bërë jetën sa më dinjitoze dhe me lirinë që të ofron perëndimi, duke len pas meskinitetet e korrupsionin e origjinës.

Në procesin e përshtatjes me një vend, njerëz dhe kulturë të caktuar, kërkon shumë zgjedhje personale dhe shumë përpjekje si emigrant dhe Eva edhe pse kishte prekur fundin në vendlindje arriti që t’ja dalë dhe të gjejë veten në shumë aspekte materiale dhe shpirtërore, preku ëndrra që nuk kishte guxuar ti shihte në dheun e saj.

Akseset që na ofron një Atdhe i huaj çuditërisht janë ato që na e bëjnë të bukur jetën. Në “Udhët e Evës”, personazhi kryesor vendoset në qendër të një galerie personazhesh, si në Shqipëri qytetin e saj, Beratin, ashtu dhe në Toronton e largët të Kanadasë, ku dy prej tyre, babain dhe bashkëshortin i humbi, gjë që i la zgavra të pambushura në shpirt.

Midis tyre ajo sjell njerëz të thjeshtë e të vërtetë të tranzicionit, që nuk i humbën vlerat njerëzore. Solidariteti i tyre me Evën në kushtet kur ajo ka prekur fundin, përbën revokim të traditave më të mira shqiptare. 

Gjuha me të cilën operon autorja në “Udhët e Evës” është e thjeshtë, por duket që vjen e ngjyer në lotët e një jete që i ngjan një tuneli pa drit në fund të tij hera herës.

Ky roman regjistrohet si valët e një tërmeti në ekzistencë kohore dhe hapësirat e shtrirjes në jetët tona. Ai sanksionon raportet me gjithçka tjetër që e rrethon e, në mënyrë të veçantë më e rëndësishme është ajo që vendos me lexuesin, sidomos homologët e Evës, emigrantë në mbarë botën.

Kur mbarova së lexuari “Udhët e Evës”, melankolia që më shoqëroi në rrëfenjën e autores vizatoi mendimin tim përfundimtar, se shpirti i njeriut ravijëzohet dhe merr formën e amebës në varësi të dëshirave e objektivave madhorë që i vendosim vetes. 

Dashuria për jetën triumfon mbi gjithçka nëse ne luftojmë dhe dorëzimin nuk e kemi opsion. Britma e arsyes së Evës është apeli për të kuptuar se ju fitoni nëse besoni dhe luftoni për atë besim.

Më erdhi në vemendje një thënie e një autore, një zonje legjendare amerikane Helen Keller, që ka luftuar shumë për tejkalimin e fatkeqësive në një jetë sfiduese të jashtëzakonëshme. Ajo thotë – Me një fjalë letërsia është uto-pia ime.

Por autorja Valentina Korçari Muka me romanin e saj “Udhët e Evës”, duket sikur e kundërshton, duke e sjellë atë si manualin e të vërtetës së jetës të emigrantit, shkruar me lotët e tij në vetminë e heshtjes që flet me vetveten