Çaste poetike me poetën bullgare Violeta Boncheva

VIOLETA BONCHEVA
E nderuar Redaksi, po ju dërgoj tre poezi nga Bullgaria.
Unë, Violeta Boncheva, anëtare e LSHB që nga viti 2003, jam autore e 16 librave me poezi, prozë dhe drama, ndër të cilët janë edhe dy libra dygjuhësorë në bullgarisht dhe spanjisht.
Librat që kam përkthyer dhe botuar në Spanjë, Kili dhe Kolumbi janë katër, si dhe kam marrë pjesë në rreth 30 botime librash si përkthyese nga spanjishtja dhe si autore. Kam fituar çmime ndërkombëtare për poezi nga Spanja, Argjentina, Libani, si dhe çmime nga konkurse në Bullgari.

________________________________________
DJALLI NË TË

Ishte edukuar
të ishte vetvetja, vetëm në rastet ekstreme
përndryshe, tregonte krahë të fuqishëm,
ndërsa nga fyti i tij dëgjohej kënga e bilbilit,
që një herë e kishte gëlltitur
dhe e kishte shndërruar
në një të burgosur të pashpresë
në grykën e tij monstruoze.
Priste lëmoshë në radhë
për Kungimin e Shenjtë.
Rreth e rrotull dredhaheshin degë shelgu –
të ndritshme e të lehta,
malet e luleve të bekuara,
shpresat për të mirë
vareshin në kurora nëpër pemë.
Po njësoj dhe deri më sot
konturi i pamatshëm
i së keqes njerëzore
dhe rënia
fshehin mjeshtërisht masat e tyre
dhe mendimet e sikletshme.
Afërmendsh, kungata e shenjtë është pranë,
fqinji ka përgatitur këmishën,
dhe vetëm mua më mungon edhe pak guxim,
që të besoj plotësisht,
se një ditë
do të marrë secili atë që meriton.
I bekuar qoftë Zoti ynë…
________________________________________
Për Radkën

Nën rrjetat e merimangave prej bronzi,
zhytur në rapsodinë e bulkthave,
nën freskinë e gjethit të hardhisë,
nën frymën e pafundësisë që bulëzon,
zhytemi në sytë tanë të flakëruar
pas një ndarjeje të gjatë vitesh,
dhe bisedojmë për gjëra më banale –
për verën, për fluturimet lodhëse,
çmimet, rrugët e parregulluara,
për të pangopurit që kanë hipur mbi shtetin,
dhe për pandemitë që nuk ekzistojnë…
Dhe poezitë tona mbeten të paprera,
kot që gushti dëshiron të flasë
përmes tyre, të cilat si hi
një ditë do t’i fshijë koha…
Sa nuk i dua lamtumirat e gjata,
sa nuk i dua lamtumirat e shkurtra,
sa nuk dua të premtojmë gjëra,
të cilat
Zoti nuk i ka parashikuar…
________________________________________
NËSE

Nëse shikon më shpesh lart –
do ta zhdukësh me vështrimin tënd gri e plumb,
që varet mbi ty
dhe si myk tret retë,
sepse në vështrimin tënd ka aq shumë lule,
dhe i shiqon lulet se si rriten.
Shpërndan farat e tyre me vështrimin tënd anembanë,
dhe ato çelin në mes dy gurëve të dhëmbëzuar,
që kanë qenë në grindje me vite,
por askush nuk mund t’i zhvendosë –
as drejt së ardhmes – as drejt të kaluarës.
Të mbjellësh lule në të pam është po aq e mundur,
për dallim nga probabiliteti natyror
nga kapja e dridhjeve delikate dhe besimi i guximshëm
te personi i duhur.