Mikel Gojani: VEPËR ME VLERË PËR LETËRSINË, GJUHËSINË DHE KULTURËN PËRGJITHËSISHT

Mikel Gojani
VEPËR ME VLERË PËR LETËRSINË, GJUHËSINË DHE KULTURËN PËRGJITHËSISHT
Dr. Begzad Baliu: “Semantika e fjalësit (Monografi për veprën gjuhësore të Zenun Gjocajt), botoi “Era”, Prishtinë 2009.
Begzad Balliu, është njëri ndër personalitetet më të fuqishmet të jetës studimore në Kosovë, mirëpo emri i tij ka kaluar edhe kufijtë kombëtarë. Baliu ka publikuar shkrimet e tij qysh herët, për të vazhduar më pas me publikimet e tij nëpër gazetat e revistat e ndryshme, shkrimet e të cilit në vazhdimësi kanë zgjuar kureshtjen e lexuesve. Deri më tash është prezantuar me këto vepra letrare e studimore: “Gustav Majer dhe albanologjia” (2000, 2001, 2009), “Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan” (2004, 2009), “Vepra bibliografike e profesor Jup Kastratit” (2005), “Demitizimi dhe standardizimi i emërvendeve të Kosovës” (bashkautor, 2005), “Çështje të studimit të onomastikës në veprën e Eqrem Çabejt” (2000), “Onomastika e Gallapit” (2004), “Çabej 1” (2006), “Mbi autorësinë e bibliografisë së Skënderbeut” (2005), “Profesor Jup Kastrati për Kosovën” (bashkautor, 2004), “Bibliografia përmbajtjesore e SNGJLKSH” 1972-2007, 2008), “Pesha e komunikimit” (2009), “Onomastika e Kosovës – ndërmjet miteve dhe identiteteve” (2009), “Gjaku i lirisë” (1981-1995), I-IV, (bashkautor 1996-2000), “Kafeneja ballkanike” (1996, 2000, 2005), “Grua e dashuruar” (1996), “Flamuri vjen nga Kosova” (1994), “Vareni kryengritësin e shenjtëruar” (2009) etj.
Studiuesi Baliu, nëpërmjet prezantimit të tij në librin “Semantika e fjalësit” (Monografi për veprën gjuhësore të Zenun Gjocajt), dëshmon se është njohës i mirë i rrugës jetësore dhe veprimtarisë intelektuale të Zenun Gjocajt, duke paraqitur nëpërmjet këtij studimi portretin fondamental të këtij personaliteti të jetës intelektuale, studimore dhe atdhetare.
Studimi në fjalë është organizuar në mbështetje të një metodologjie të pranueshme shkencore me faktet dhe të dhëna të fuqishme, duke i përforcuar konstatimet e tij shkencore. Për t’i dëshmuar këto konstatime që ai i prezanton në këtë libër, na jep portretin autentik të kësaj vlere të jetës intelektuale dhe studimore, pra të prof. dr. Gjocajt.
Për ta pasqyruar sa më mirë punën dhe kontributin e studiuesit Baliu, i cili me një angazhim përkushtues iu qas kësaj figure shumë të rëndësishme dhe shumëdimensionale, siç ishte ajo e prof. dr. Zenun Gjocajt, ne do të paraqesim me vija të trasha shtyllat mbi të cilat është ndërtuar bazamenti i kësaj vepre shkencore.
Libri “Semantika e fjalësit” i B. Baliut është i konceptuar në disa kapituj përmbajtjesorë, të cilët e përbëjnë një strukturë unifikuese konceptuale: “Në kërkim të autobiografisë dhe historisë”, “Luigj Gurakuqi dhe gjuha kombëtare”, “Qasje teorike-gjuhësore në strukturën leksiko-semantike të frazeologjisë shqipe”, “Kërkime të strukturave leksiko-semantike në vepra letrare”, “Studiues i vlerësuar dhe i referuar, “Përfundime dhe “bibliografia e profesor Zenun Gjocajt”.
Librit të autorit Baliu, “Semantika e fjalësit”, i paraprin një parathënie, me anë të së secilës autori shpalos motivin që e ka nxitur për t’iu qasur botës studimore të studiuesit Gjocaj, i cili pavarësisht prej sfidave që ka përjetuar gjatë regjimit serbo-sllav, pavarësisht prej përpjekjeve të këtij regjimi “për t’ia lënduar dorën e djathtë”, nuk e ndërpreu rrugën e shkencës, këtë rrugë të dinjitetshme që ia kishte përcaktuar vetes, kështu që vepra e tij është “vetëm një kapitull i një historie të albanologjisë që po shkruhet”, siç shprehet edhe studiuesi Baliu.
Me një fjalë, studiuesi Baliu ia ka dalë me sukses të zërë dhe ta ravijëzojë botën studimore të Gjocajt, për çfarë edhe cilido studiues do ta ketë të vështirë t’i thotë të gjitha për tërë atë opusin e pasur të këtij studiuesi.
Në kapitullin e parë, “Në kërkim të autobiografisë dhe historisë”, autori Baliu shpalos qasjet studimore të profesor Gjocajt, sipas të cilit reflektojnë një botë të gjerë hulumtimesh për çështje gjuhësore, letrare, historike e kulturologjike. Sipas këtij studiuesi, në fushën e gjuhësisë studimet e profesor Gjocajt kryesisht i kushtohen kulturës së gjuhës, çështjeve gramatikore, problemeve leksiko-frazeologjike e frazeo-stilistike. Sipas profesor Baliut, profesor Gjocaj në këto studime manifeston një qasje serioze për trajtimin e problemeve që kanë rëndësi të madhe për disa disiplina shkencore, veçmas për standardin e gjuhës dhe historinë e shqipes e të shqiptarëve. “Gjithashtu, në disa vështrime të tjera Gjocaj ka trajtuar në mënyrë analitike-sintetike edhe disa vepra filologjike të gjuhëtarëve tanë, duke dhënë kështu një ndihmesë të çmuar në këtë fushë. Ai ka trajtuar problemet duke zbatuar me sukses metodën sinkronike e diakronike dhe ka reflektuar në ndriçimin e një varg çështjesh që kanë mbetur të pastudiuara sa duhet në shkencat e ndryshme të albanologjisë”- pohon studiuesi Baliu (fq. 23). Në këtë pjesë të këtij libri autori na e jep edhe një pasqyrë të polemikave të Gjocajt në mbrojtje të doktrinës së Lëvizjes ilegale të Kosovës, aktiviteti i të cilit në këtë lëvizje përfshin një kaptinë të rëndësishme të jetës së tij.
Në pjesën e dytë autori Baliu jep refleksione rreth gjuhës së veprës së shkrimtarit të shquar të Rilindjes kombëtare, Luigj Gurakuqit. Këtu, autori i qaset kërkimit të identitetit shkencor, veçorisë gjuhësore të Luigj Gurakuqit, shtrirjes tejdialektore të fjalësit të shqipes etj. Sipas autorit, në një kapitull më vete Gjocaj merret me konceptet stilistike të Luigj Gurakuqit. Sipas tij, në studimet e Gjocajt identifikohen dhe diskutohen shumë fenomene, dukuri dhe raporte të caktuara, si ato “ndërmjet mendimit, gjuhës dhe poezisë, marrëdhënieve ndërmjet gjuhës poetike, begatisë së saj, veçorive tingullore të saj, përbërësve, efekteve dhe shqiptueshmërisë tingullore; çështjet leksiko- semantike e stilistike dhe sidomos struktura metrike e vargut. Konceptet e tij për vargun dhe metrikën, strofën e rimën, si dhe stilin e stilistikën poetike, paraqesin edhe sot mendimin klasik dhe themeltar në historinë e teorisë së letërsisë shqipe”- vlerëson autori. Në kapitullin vijues autori Baliu ndalet në vlerësimin e qasjeve teorike-gjuhësore në strukturën leksiko – semantike të frazeologjisë shqipe, duke u fokusuar në një projekt të shfrytëzuar si temë të magjistraturës nga profesor Gjocaj, me temën bosht “Roli i Luigj Gurakuqit në themelimin e gjuhës kombëtare shqiptare”, duke marrë si objekt kryesisht gjuhën dhe konceptet e tij në veprën letrare të këtij shkrimtari të shquar të letërsisë shqipe, po ashtu, edhe projektin tjetër të doktoraturës me temën “Struktura leksiko-semantike e stilistike të frazeologjisë shqiptare”, me ç’rast autori ka prekur çështjet të cilave nuk u është qasur askush nga gjuhësia shqiptare. Sipas autorit Baliu, Gjocaj në veprën e tij trajton procesin e formimit të njësive frazeologjike, duke filluar nga struktura e mirëfilltë me vlerë shënjuese, deri te rrafshi i figurshëm e ngjyrimi emocionues si element stilistik. Në vijim autori trajton çështjet e konceptit të frazeologjisë si pasuri gjuhësore etj.
Në kapitullin e katërt të titulluar “Kërkime të strukturuara leksiko- semantike në vepra letrare” autori ngërthen në shqyrtim kërkimet e thelluara studimore frazeo-stilistike në veprën e Gjocajt, nga struktura tematike te struktura përfaqësuese, pasuria frazeologjike e shqipes në veprën e Ndre Mjedës etj. Autori Baliu, ne kapitullin vijues, ndalet të vlerësimet që shumë studiues i kanë bërë veprës së Gjocajt, nga bashkëkohës dhe studiues, si Hilmi Agani, Rexhep Ismaili, Latif Mulaku, Murat Blaku, Fadil Raka, Shefkije Islamaj, Natasha Sotiri, Adem Hajdaraj e të tjerë. Këta studiues të dëshmuar të shkencës sonë gjuhësore me mjaft kompetencë shkencore kanë vlerësuar lart veprën e Gjocajt, në këtë fushë të caktuar dhe të pa lëruar thellësisht.
Konceptin e këtij libri e kompleton edhe një bibliografi e profesor Zenun Gjocajt (1978-2008), e cila është mjaft e pasur.
Përfaqësimi i denjë letrar, filozofik e estetik, i ka mundësuar edhe Baliut të merret edhe me trajtimin e fushës studimore të Gjocajt.
Siç shihet, vepra “ Semantika e fjalësit” e autorit B. Baliu është një vepër me vlerë të veçantë për letërsinë, gjuhësinë dhe kulturën përgjithësisht, në të cilën është trajtuar vepra studimore e prof. Dr. Zenun Gjocajt. Gjuha e shkrimeve të veprës së studiuesit Baliu, “Semantika e fjalësit”, synon gjithnjë shkathtësinë dhe fuqinë e shprehjes, të realizuar përmes gjuhës shkencore.
Prandaj, vepra “Semantika e fjalësit e autorit Begzad Baliu, me peshën e trajtuar të çështjeve si dhe me nivelin e trajtimit të tyre në këtë libër, dëshmon, ndër të tjera, se B. Baliu, padyshim, bën pjesë në plejadën e studiuesve më të spikatur jo vetëm në vendin tonë. Me këtë libër, ai ka begatuar fondin e librave studimorë të kësaj fushe mjaft kërkimore në letërsinë shqipe.
Mikel Gojani