Caste poetike me Viron Kona

Viron Kona

Lulja e Naimit
Kushtuar agronomit dhe luleshitësit të lagjes z. Nexhmi Laraku

Luleshitësi i lagjes,
më flet me ëmbëlsi,
çdo lule që ai sjell,
e ofron me dashuri:

Kjo është aloe vera
atje është mëllaga,
kjo është burbuqja,
ja edhe lule shpata.

Ky është borziloku,
kjo lule e jaseminit,
“qershia mbi tortë”,
është lulja e Naimit.

Ofroj lloj-lloj lulesh,
që rriten në shtëpi,
merr ç`të do zemra,
atë që pëlqen ti.

Unë i shërbej punës
kënaqem prej fitimit,
gëzohem që pëlqen,
lulebukurën e Naimit.

E ndezur e verbuese,
n ‘rozë dhe portokalli,
vjollcë me të verdhë,
plot dritë dhe bukuri.

E shikon si rrëzëllen,
te shtëpia buzë detit,
i marrosi sarandjotët,
bukuroshja e qytetit!

Mëngjeseve sapo vij,
gjithkush atë kërkon,
e duan që ta mbjellin,
në oborr e në ballkon.

I thonë lule Sarandës,
i thonë lule e gëzimit,
i thonë dhe bugenvile,
është lulja e Naimit.

Naim Frashërit kur ishte në Turqi i tërhoqi vëmendjen kjo lule me
gjelbërim të përhershëm, e cila kacavirrej në pragjet e dyerve të shtëpive
private. Ngjyrat e saj janë në nuanca të ndryshme, nga portokallia dhe e
verdha, deri te nuancat rozë dhe vjollcë. Më 1874-76, Naimi punoi në
doganën e Sarandës. Asokohe solli me vete edhe një rrënjë të kësaj
luleje. Ajo u përhap shpejt dhe sot gjendet në çdo cep të qytetit, por edhe
në qytetet e tjera të Shqipërisë. Emrat e saj janë: lule Saranda, bugenvile
(bougainvillea) dhe lulja e Naimit.