Elvira Zeneli
NĒN RIGAT E SHIUT….!
Rigojnë gjethet e verdha në luginën e malit të madh
Era i rreh herë ëmbël e herë egër
I hedh në lagështinë e tokës me fëshfërimë
E ndjej tek i shkel me këmbë
Nëpër thellësitë e stinës
Mendimin e shemb!
Eh, kjo jetë s’më lë të të takoj veçmas ty
Në ikje ta shkëpus një copë
Si mace e frikësuar
Ikën dikund
Me kafshatën tënde e mbuloj trupin
Të mos e ndjej të ftohtin që më ka hyrë në shpirt!
Ky shi është mbushur frymë
Si ta kishte ngarkuar peshën e lagështisë mbi shpinë
Pikat e vargëzuara para syve të mi
Nuk e kuptojnë pse po bien aq shumë
Kjo ndjenjë e trishtë pa ty s’më përcjell në gjumë!
I mbyll portat e mallit nëpër errësirë
Zbrazëtinë s’mund ta shoh
Mallin tënd dua ta nxjerr prej gjoksi
Ta mbyll vjeshtën në atë vend me ngrohtësi
Kërcënon qielli më kot nga lart
I kam fshehur vetëtimat si engjëjt nëpër re
Dielli do të dal pas pak
Kur të udhëtoj unë tek ti…!