Elvira Zeneli
VIJËZOJ VETEN SI NË HARTA
Vetveten po vijëzoj si hartat e shteteve skandinave
Shtjellohet qielli i mërzitur në përflakje të hirtë
Më kërkon në mijëra vende
Tek ishujt me re aty më ke të shtrirë.
E në shpirt mendimet curril më derdhen
Si torturat në kampin nazist
Më shpërthen jashtë kontrollit ankthi
Me britma e klithje
Flirt, flirt…
S’po ndodh asgjë atje lart
E bukura jote e farkuar është ngujuar me zjarrin e djegur për ty
Oh, merre një copë peizashi me vete që andej
Siç e merrnim bukën me vete kur ishim fëmijë
Sa mall kam për atë dashuri
Eja zbrit me supe të shpalosura
Më bëj thërrime
E më hidh tek milingonat
Brenda tetorit të mbushur me magji
Veriu ka nisur të fryjë
Pesha e viteve të mia më nuk të duhet
Unë e di se e çara e fustanit që më rrinte rreth trupit
Një kujtim të vjetër të kujton
Eh, këto poetet dredharake janë
Fshehtësinë s’ta shpalosin kurrë
Po ku ka mbetur e shtrenjta jote
Nuk pyet më
Jeta na hodhi në kujtime të përhumbura
I terim në gardhin e moshës
E i tjerrim me furkën e fatit
Duke i krehur me krëhërin e dashurisë
Si vetëtima ndëshkuese të Zeusit
Të vjen ndërmend një tjetër femër…!