Përgatiti: Gladiola Jorbus
Veprimtari letrare në shoqatën ” Migjeni”
Të shtunën e sotme në qytetin e Boråsit, në ambjentet e Medborgarskolan, shoqata ‘’Migjeni’’ organizoi takimin letrar me në qendër librin dhe krijimtarinë e autores kroate Slavica Bozhiceviq.
Libri i saj ‘’ Në kundërshtim me kohën’’ i përkthyer nga shkrimtari, përkthyesi dhe kryetari i shoqatës Migjeni, Sokol Demaku në gjuhën shqipe rrëfen jetën e gruas që rilind nga hiri i dhembjes njësoj si një feniks. Përveç saj, shoqata përuroi dhe libra të autorëve si: Hamit Gurguri, Emine Hoti, Gladiola Jorbus, Xhavit Çitaku, Xheladin Shabani. Të gjithë diskutuan dhe referuan në lidhje me mbresat e tyre mbi këto libra. Qerime Gurguri diskutoi për penën poetike të poetes Emine Hoti. Ndërsa nuk mbeti pa u përmendur dhe Ullmar Qvick dhe recensioni i tij mbi librin e autores Gladiola Jorbus.
Mbi librin e S. Bozhiceviq
Autorja duhej të botonte këto këngë zemre, këtë energji të jetës së saj, idetë e brishta të mirësisë. Çdo mendim i shkruar në librin ‘’ Në kundërshtim me kohën’’ ka qëllimin e tij, ka një person, një vend të cilit i kushtohet. Tekstet e prozës që përmbyllin këtë përmbledhje janë thelbi i pastër i mençurisë dhe urtësisë që autorja ka mbrujtur gjatë viteve të përvojës së saj. Edhe pse nuk është përmbledhja e saj e parë me poezi, ajo është e mbushur me frymën e çiltërsisë. Tematikisht, autorja prek ndjenjat e saj ndaj njerëzve dhe vendeve të dashura, e veçanërisht ndaj bashkëshortit të saj, për të cilin ndjen dashuri të pamasë, edhe pse kanë kaluar shumë vjet nga vdekja e tij tragjike.. Megjithatë, peshën e vërtetë të këtij libri e japin mendimet kushtuar të vërtetave të përjetshme dhe jopersonale që autorja arriti në jetën e saj.
Slavica Božičević ka përvoja të shumta personale të ballafaqimit me vdekjen. Ajo luftoi për jetën e saj e vetme për vite me radhë. Dhe fitoi, pasi u bind se vdekja nuk duhet pasur frikë, sepse ajo është një pjesë e pashmangshme e jetës. Autori beson se njeriu duhet ta shikojë vdekjen në sy dhe të përgatitet për të.
Dhe pastaj… më pas ndodhi momenti për të cilin jeta po e përgatiste, por ajo as që e dinte. Një ditë, kur ajo më së paku e priste, u shfaq sëmundja e burrit të saj. Rrjedha dramatike e ngjarjeve është regjistruar në mënyrë mbresëlënëse në pjesën e fundit të koleksionit. Kjo pjesë e koleksionit i kushtohet tërësisht vetë autores, marrëdhënies së saj me bashkëshortin që po vdes, energjisë së përbashkët, lidhjes dhe angazhimit të tyre. Sekuenca e prozës dhe e notave poetike rrjedh gjithnjë e më shpejt, tensioni, koha dhe intensiteti i ndjenjave shtohen, derisa lënda zhduket në simbolin e një fluture të bardhë në xhamin e dritares së dhomës së pacientit. Padyshim, ky duhet konsideruar një libër që depërton thellë në perceptimin e jetës së lexuesit.