Përgatiti: Gladiola Jorbus
Slavica Bozhiqeviç, artistja e shumanshme kroate
Slavica Bozhiqeviç është një artiste, poete dhe aktiviste kroate. E lindur më 10 janar 1937, në Zagreb, ajo gëzon një formim të larmishëm arsimor në mjekësi, gazetari dhe ekologji. Ajo ka punuar gjerësisht si në Kroaci ashtu edhe në Suedi, dhe ka organizuar evente të shumta.
Slavica Bozhiqeviç është gjithashtu një anëtare aktive e organizatave ndërkombëtare si OKB dhe UNICEF, dhe ka qenë e përfshirë në iniciativa të ndryshme për paqen dhe lirinë. Gjithashtu, ajo ka kontribuar në art përmes pjesëmarrjes së saj në episode televizive dhe në teatër amator.
Libri “ Në kundërshtim me kohën’’ i përkthyer në shqip nga shkrimtari dhe përkthyesi, Sokol Demaku në gjuhën shqipe rrëfen jetën e gruas që rilind nga hiri i dhembjes njësoj si një feniks.
Autorja duhej të botonte këto këngë zemre, këtë energji të jetës së saj apo thënë ndryshe, idetë e brishta të mirësisë. Çdo mendim i shkruar në librin ‘’ Në kundërshtim me kohën’’ ka qëllimin e tij, ka një person, një vend të cilit i kushtohet.
Tekstet e prozës që përmbyllin këtë përmbledhje janë thelbi i pastër i mençurisë dhe urtësisë që autorja ka mbrujtur gjatë përvojës së saj.
Tematikisht, autorja prek ndjenjat e saj ndaj njerëzve dhe vendeve të dashura, e veçanërisht ndaj bashkëshortit të saj, për të cilin ndjen dashuri të pamasë, edhe pse kanë kaluar shumë vjet nga vdekja e tij tragjike. Slavica Bozhiqeviç ka përvoja të shumta personale të ballafaqimit me vdekjen. Ajo luftoi për jetën e saj e vetme për vite me radhë. Dhe fitoi, pasi u bind se vdekja nuk duhet pasur frikë, sepse ajo është një pjesë e pashmangshme e jetës. Autori beson se njeriu duhet ta shikojë vdekjen në sy dhe të përgatitet për të.
Dhe pastaj… më pas erdhi çasti për të cilin jeta po e përgatiste, por ajo as që e dinte. Një ditë, kur më së paku e priste, u shfaq sëmundja e burrit të saj. Rrjedha dramatike e ngjarjeve është regjistruar në mënyrë mbresëlënëse në pjesën e fundit të librit. Kjo pjesë i kushtohet tërësisht biografisë së vetë autores, marrëdhënies së saj me bashkëshortin që po shuhet, energjisë së përbashkët dhe lidhjes së tyre.
Sekuenca e prozës dhe e notave poetike rrjedh gjithnjë e më shpejt; tensioni, koha dhe intensiteti i ndjenjave shtohen, derisa materia sendërtohet në simbolin e një fluture të bardhë pas xhamit të dritares. Padyshim, ky libër duhet konsideruar një krijim që depërton thellë në perceptimin e jetës nga ana e lexuesit.