Elvira Zeneli
FRYMËZIMIN SHTEROVA
Iu luta fjalës ta ndalte vrapin
Ajo nuk pranoi por me kokëfortësi vazhdoi më fort
Prapa kishte mbetur tiktaku i kohës me mërzinë
Metafora përmasohej si fabrikë ndjenjash përbrenda
Etjen s’e shuan burimi i shpirtit që rrjedh si kroi i malit
Ah, kjo buzë e ndjen aromën e gurgullimës së freskët
Më shiko me syrin e zemrës
Shenjtëri nuk jam
Që nuk e pi magjinë.
Kudo rreth e përqark kolonë ngecjesh nëpër vargje
Muza e stivoi frymëzimin dhe e mblodhi te porta e vjetër
Si Kostandini kur hipi mbi kalë Doruntinën
Kot pres me ditë të tëra
Si virgjëreshat me bele të thyera
Pas gjoksit tënd të zjarrtë
Shkronjat e mia kanë heshtur
Filantrop nuk jam
Por dhimbje ndjej për poetët
Shkëndijën e krijimit s’di si t’ua jap
Këtë varg të tharë s’mund ta shikoj nëpër rreshta
të vrarë e të ndëshkuar nga puthja e saj e nga shterpësia hermetike
Siç vuan bima kur nuk ka ujë të vaditet
Papritur e pakujtuar
Kumti yt si rrufe me zbret
Flirti s’e tundon dashurinë tonë të vjetër
Nuk e dua kuptimin e tërthortë
Por të drejtpërdrejtë
Për ty e shterova frymëzimin
Artin, pikturën dhe muzën e bëra të pinte për ty
Dhe prapë e deha dhe e bëra të ndihej xheloze për dashurinë…