E hëna poetike me poezin e Elvira Zeneli

Elvira Zeneli

PËRTEJ TË BUKURËS

Sonte dua të shkruaj ndryshe
Të flas për gratë e moshës sime
Kur nisen për në punë
Ngadalë ulen në kafen e mëngjesit
Shikimin e mbajnë nga dritarja
Shohin përtej xhamit të kristaltë
Çdo detaj njerëzor ato shohin
Kush është miku dhe mikja e vërtetë
Kush ja do të mirën dhe kush ja mban dorën…

Sa të forta janë gratë e moshës sime
Për jetën e tepruar ironizojnë ato
Kohë nuk kanë për qaramane pa shkak
As për ngatërrestare burrash e humbëse dashurish
As për njerëz negativê
As për njerëz menefrego
Apo gra të vogla që shuajnë zjarre dëshire
As për burra të zakonshëm me natyrë fëmije.

Sa të forta janë gratë e moshës sime
Nuk munden të thonë aq shpejt se çfarë duan
Ju shkëlqen fustani i zi
Me dekoltenë më të bukur me trëndafil në gji
Drita e diellit ju shkëlqen mbi fytyrën kajmak
Eh, verën e pinë me gllënjka nga pak
Oohh, sa shpejt mësohen
Dhe përshtaten me cfarëdo ndodhish
Se kjo botë të përplas dhe me njerëz të pabesê
Me mungesën e gjatë të dashurisë
Ëndrrat i kthejnë në suvenire të bardhë…

Në mbrëmje lëshojnë një psherëtimë
Ato falin ngadalë, atë burrin e jetës së tyre
Lëvdatat i fshehin në sythet e bimëve të sapombjella
Askund nuk ecin dhe nuk shkojnë pa një ide dhe vizion të qartë
Dështimet i kanë gurë të rrallë.

Mbrëmjen e duan nën shoqërinë e mirë
Në të kundërt vetminë e zgjedhin e kanê në zemër
Paqe kanë në sytë e tyre,
Zjarre kanë në fjalë dhe pe nuk lëshojnë kur flitet për një emër.

Lak më lak e zënë shijen e fitores
Eh, dreqi e mori këtë punë, gratë e forta të çudisin
Kur ndodh të bien në dashuri
Mos i besoni ëndrrës së bukur me to,
Nëse je i pabesë dhe nuk beson në besë deri në pafundësi.

E harrojnë mëngjesin në një vazo
Realitetin e mbajnë mbi tavolinë
Ato dinë të presin e të përcjellin
Dinë të flasin bukur dhe gjatë aq sa duhet për lirinë.

Janë të nurta, hijen e kanë si pemët në mes të jetës
Fisnikërinë si gjethet pa rënë ende nga vjeshta,
Ato janë të mençura e dinë sa vlen kujtesa dhe pesha e artë e fjalës.

Dëborë e acar ju bëhet syri, kur ndeshin një gjamë
Ato çdo gjë dinë, mbi stinët, dëmet, refleksionet dhe njerinë që është njeri
Domethëniet në bisedë, dinamikën dhe sigurinë.

Edhe më shumë dua të them,
Por mbi të gjitha gratë e moshës sime
Janë të forta, sfiduese,
Janë më të bukurat në natyrë,
Po aq bukur dijnë të qajnë pēr dashurinë….