Pranvera Qerimi
Kujtova se më doje
Kujtova se më doje,
Nuk e kuptova që mundoheshe
Të hidhesh në xhepat e mi,
Si dhelpra në kotec.
Kujtova se doje më shumë,
Por ishe aty vetëm për ngopje.
Kujtova se dije diçka, por gabova,
Unë të mendoja të mençur,
Eh, jo—dinake.
Por nuk e mohoj, edhe dinakëria
Është një lloj zgjuarsie.
Megjithatë, unë preferoj atë që vjen
Nga mendja, jo nga barku.
Kujtove se bukuria jote
Do ta ndryshonte rrjedhën time—
Gabove rëndë.
Të tilla takoj kudo, i nuhas,
Madje as nuk i shikoj,
Sepse shikimi i tyre i drejtpërdrejtë
Më vret edhe mua.
Dua vajza që ecin me guxim,
Por jo, jo deri në atë pikë
Sa të harrojnë veten
Për dëshirat dhe tekat e tyre.
Shpirtrat e zbrazur
Mundohen t’i mbushin me epsh,
E kështu humbasin edhe respektin
Për vetveten.
Harrojnë ta ushqejnë shpirtin,
Për t’u treguar të tjerëve
Se si zhvasin ekonominë,
Duke mbuluar me luks
Ulerimën e brendshme
Që çdo ditë e më shumë i gërryen.