Viron Kona
Shkrimtar e studiues
Skënder KAMBERI – Mjeshtri i Madh i pikturës
Vepra që na vënë në mendime
Skënder Kamberi, “Piktor i Popullit”, “Mjeshtër i Madh”, ndër piktorët e spikatur të vendit tonë në 30 vitet e fundit të shekullit të kaluar dhe në vazhdim të mijëvjeçarit të ri, derisa mbylli sytë në prill të këtij viti (2026). Ai ishte kurdoherë mbresëlënës me karakterin e tij të papërsëritshëm, por mbi të gjitha me vlerat e larta artistike, kolorin dhe origjinalitetin e pikturave të tij.
Në pikturat e Kamberit, pothuajse të gjithë elementët tërheqin vëmendjen, të vënë në mendime sa herë që ndodhesh përpara tyre: edhe kompozicioni, edhe vizatimi, edhe kolori… dhe, shpejt, shikuesi arrin në konkluzionin se ka përpara një piktor të kompletuar të kohëve moderne. Veprat e tij janë tashmë të njohura dhe gurë themeli në historinë e pikturës shqiptare: “Buka e duarve tona”, “Kthimi i nëndetëseve”, “Betimi i Vrana Konti”, “Vajza e valëve”, “Kosovarja”, “Në Belvederë në Vjenë sikur pashë Skënderbenë“,“Otranto, 1997”, portreti i luftëtarit Sali Vranishti…etj. etj. Lista e veprave të tij është e pafund, numërohen mbi 1400 piktura…
Skënderi nuk përsëriste asnjëherë vetveten, por krijonte vazhdimisht, ai kishte zërin e tij, mendimin tij, penelin dhe kolorin e tij. Të njihje Skënder Kamberin, duhej të njihje shpirtin e tij krijues, impulset shpërthyese, energjitë e pandalshme që vrullonin nëpërmjet “armës” së tij, penelit të magjishëm skënderian.
Kam pasur kënaqësinë dhe privilegjin ta njihja Skënder Kamberin që në rininë time. I mblidheshim përqark në studio, bashkëbisedonim dhe shfaqnim mendimet tona për veprat e tij, teksa Skënderi, duke punuar, na dëgjonte me një buzagaz të lehtë, shikim të çiltër dhe me ndjenjë respekti, i bindur se ne që i vinin në studio dhe shprehnim dëshirën t`i qëndronim pranë kur ai punonte, ia donim dhe ia vlerësonim punët e shkëlqyera që realizonte me penelin e tij të magjishëm, sikurse e donim Skënderin edhe si shokë e mik, si njeri të formuar dhe me kulturë. E teksa ne shfaqnim respektin ndaj tij për shfrytëzimin në maksimum të kohës, ai hiqte një çast vështrimin nga piktura:
-E dini se ç`më thoshte Çabej në një bisedë: ”Po të flesh 1 orë apo, qoftë edhe gjysmë ore pasdite, ditën e ndanë në dy ditë dhe punon i freskët deri në orët e vona”.
-Po ja, ti Skënder po mëson edhe gjermanisht, ku e gjen kohën? – e pyesnim.
-T`ju them një sekret! Ja më dëgjoni: sa herë që rruhem në mëngjes, përpara pasqyrës ngjisë disa fjalë e fjali në gjermanisht dhe gjatë gjithë kohës që rruhem, i përsëris ato me zë pa pushim. Dhe, kini parasysh se, unë, rruhem çdo ditë…”
Hëm! Vërtetë i çuditshëm ky Skënderi! Ku s`i vete mendja! – thoshim ne me njëri-tjetrin.
Uniteti i Skënder Kamberit dhe Piktorit tjetër të Popullit Nestor Jonuzi, ndihmuan shumë në krijimin rreth viteve 70 dhe 80 të shekullit të kaluar, në krijimin e “Shkollës vlonjate të pikturës”. Ky unitet, shkathtësoi atëherë degën e shkrimtarëve dhe artistëve krijues vlonjatë, të cilët duke respektuar krijimet e njëri – tjetrit, jo vetëm në pikturë, por edhe në muzikë, letërsi, skulpturë, qeramikë etj., mblidheshin vazhdimisht, bashkëbisedonin, shfaqnin mendime, debatonin dhe largoheshin me përshtypje dhe emocione të reja nga studiot e punës të kolegëve të tyre.
Karakteri tepër i veçantë i Skënderit, në njohje të parë, të bënte të vije buzën në gaz për pasionin me të cilin ai fliste, vullnetin që tregonte, dëshirën e mirë dhe botën e tij të pasur, humanizmin dhe kulturën e veçantë. I vëmendshëm në bisedë, një njeri që të shihte në sy kur flisje me të, Skënderi ishte i drejtpërdrejtë, e shprehte gjithnjë hapur atë që mendonte, pa u druajtur se çdo të mendonin të tjerët për fjalët dhe mendimet e tij. Edhe atëherë, para viteve 90-të, edhe në vitet e demokracisë, kur punonte me ritëm dhe shpaloste vrulle të reja të pasionit të tij krijues, ishte po ai Skënder, energjik dhe vital, aspak xheloz, por gjithnjë kërkues në rrugën e tij.
Duke hedhur këto shënime, sjellë në kujtesë edhe disa nga pyetjet dhe përgjigjet që i mora atij në një intervistë, para shumë vitesh, më saktë më 16. 06. 2000, të cilën atëherë e botova te gazeta “Pasqyra’.
-Ndjeni konkurrencë në pikturën tuaj? – ishte kjo njëra nga pyetjet që i bëra atëherë.
Skënderi m`u përgjigj:
“-Nuk konkurroj kurrë. Bilbili këndon për qejf të vetë. E jo për të konkurruar me ndonjë zog tjetër. Lulet kanë secila ngjyrat e veta e nuk konkurrojnë me ferrat. Ngjyrat e peshqve dhe të fluturave, u përkasin atyre e jo për të konkurruar me kafshë e insekte të tjera. Konkurrenca është rudiment i njeriut, që e ndalon të bëhet njeri i së ardhmes. Unë jam pak xheloz për muzikën, e cila është më superiore se figurativi, por në asnjë mënyrë të konkurroj. Fusha e muzikës ka shumë konkordanca me pikturën. Madje janë bërë eksperimentime shkencore që puqen me figurativin, po prapë se prapë mua më çudit sesi veshi të superoj syrin! Ai të jetë më i rëndësishëm se të parit? Po mallkimi bëhet: “Mos paç sy!”, “U bëfsh qorr!” e, nuk thotë: “Mbetsh shurdh!” Muzika është diçka hyjnore, piktura: shpirtërore, njerëzore.
-Sa ka ndikuar Vlora, njerëzit dhe natyra e saj në krijimtarinë tuaj?
-Vlora është qyteti i fëmijërisë sime, i rinisë, i burrërisë, është qyteti i paraardhësve të mi, qyteti ku u linda dhe krijova familjen time, e, mbi të gjitha është krijimtaria ime pjellore në fushën e pikturës. Vlora më ka frymëzuar për qindra peizazhe. Po, përse e lashë Vlorën? Kur bëhej luftë në Firence, Mikelanxhelon e gjeje në Romë. Arti kërkon një qetësi shpirtërore specifike, gjë që pjesërisht kohët e fundit më mungoi. Vlonjatët e dinë mirë se jam i lidhur tepër me artin e, për hir të tij, mund të më justifikojnë që u largova prej Vlorës dhe erdha këtu në Tiranë.
-Keni ndonjë pikturë të kohës së monizmit për të cilën sot do të kishit dashur të mos e kishit bërë? Sa i lirë ose i penguar jeni ndjerë në atë kohë?
-Asnjë. Të gjitha i kam bërë me ndjenjë e racionalitet: Kultura të bën të lirë e jo skllav. Mua s`më kanë penguar kurrë konceptet e shumta patriarkale me të cilat ndeshesha përditë në shkollë, në studio e ambiente të ndryshme. Rrotat e mia për progres nuk janë ndalur nga askush edhe pse kanë vënë cipenj nën rrota. Pra çdo gjë e kam bërë me vetëdije e dashuri. Nuk kthej kokën prapa, s`jam nga ata që bëhen pishman për atë që kam nxjerrë nga studioja ime. E kam ndjerë veten të lirë, sepse e vlerësoja artin tim. Ndofta më quani mendjemadh, – por edhe modestia e tepruar është mendjemadhësi. Si artist kam reflektuar me art kohën e bashkëkohësve të mi, detyrë imperative për çdo krijues. Më vjen keq që u zgjata, por edhe pyetja provokon për një epokë që ka shumë e shumë për të folur e shkruar…Koha që kalon Shqipëria në tranzicion prek edhe artin. Artistët e vendit, më të shumtët janë larguar, sidomos të rinjtë, por këta që janë punojnë e krijojnë këtu me shumë sforco e strese, nën diktaturën financiare. E ardhmja e artit është në dorë, jo vetëm të artistëve, por edhe të zhvillimit total të vendit”.
Zemra e “Mjeshtrit të Madh” dhe “Piktorit të Popullit” Skënder Kamberi ka ndalur, por arti ynë, Vlora dhe populli ynë fisnik, do t`i ruajë në kujtesë veprat e piktorit të madh, pikturat e mrekullueshme skënderiane.



