Kadri Tarelli, shkruan:
DOKTOR……! – KU TA PRES FATURËN…….?
Skicë, mbi një ngjarje të jetuar.
Ylli, një mëso-burrë rreth të pesëdhjetave, ndjeu një therrje të fortë në fund të barkut, në anën e djathë. E vuri dorën dhe e ngjeshi fort. Dhimbja sikur u largua pak nga pak, por meraku mbeti pa përgjigje: – Ç’pata unë kështu…..!?
Ai kishte mjaft njohuri për mjekësinë, pavarësisht se nuk ishte i zanatit, ndaj menjëherë i shkoi mendja te apandesiti, dhe kjo sëmundje nuk kurohet, por hiqet me operacion. Me këto mendime e ngrysi ditën, pa u mërzitur shumë, pasi siç thuhet në fjalorin e bisedave: – Është operacioni më i lehtë dhe më i shpejtë. Po është e vërtetë, apandesit hiqet nga mjeku si të heqësh një gjemb kur të shpon në këmbë. Po sidoqoftë, meraku mbetet merak: është thika që të pret……!
Nuk shkoi shumë dhe në mes të natës, ora 24.00, përsëri e njëjta dhimbje. Ylli nuk e zgjati, mori telefonin dhe thirri një taksi, nga ato që bëjnë shërbim 24 orë. U paraqit në urgjencën e spitalit shtetëror. Mjeku i rojës sapo e pa, nuk bëri pyetje të tepërta. – Është apandesit dhe duhet operuar. Do presim deri në mëngjes, kur vijnë kirurgët, ndërkohë i bëri një qetësues. Edhe mëngjesi nuk zgjati shumë me burokraci, pasi mjekët kirurgë ja kanë marrë dorën këtij operacioni kaq të zakonshëm.
Deri këtu, për cilindo nga këndonjësit nuk ka asgjë të re për t’u shënuar. Doktori i rrahu shpatullat pacient Yllit, duke i uruar shërim të shpejtë. – Mund të dalësh që sot, ose më mirë nesër në mëngjes. Unë do plotësoj edhe dokumentacionin përkatës për ta paraqitur në qendrën e punës.
Familjarët, baba, mama dhe bashkëshortja prisnin të merakosur, ulur në një stol vendosur në korridor. U hap dera dhe në një sallon të vogël u duken një mjek dhe dy-tre infermiere që po prisnin “falënderimet” e familjarëve. Ishin të qeshur pasi edhe operacioni kishte përfunduar me sukses. Një lloj “skene teatri”, që krijohej çdo ditë pas operacionit, sikur prindërit apo të dashurit e pacientit do t’i varnin në gjoks dekorata. Ndërkohë ata prisnin të hapej e të boshatisej kuleta……! Mos vallë kaq pranë janë jeta dhe kuleta…..!?
Jezmina, mamaja e yllit, si më e paduruara, u ngrit menjëherë dhe nxitoi drejt personelit mjekësor. I shoqi Sadriu, i cili nuk duronte shumë të qëndronte ulur në stol, po bënte ec-e jakë në korridorin e gjatë. E thirrën se u hap dera e personelit. Nxitoi, por u ndal në hyrje, kur pa të shoqen Jezmina me një kartëmonedhë njëzet mijë lekëshe, (me të vjetrat), para mjekut të narkozës. Nuk e kishin biseduar fare në shtëpi, se duhet t’i jepnin lekë doktorit dhe personelit. As nuk i shkoi nëpër mend, pavarësisht bisedave që dëgjonin lart e poshtë, sa herë flitej për operacionet dhe mjekët.
Sadriu nuk e dëgjoi gjithë bisedën, veç këtë dy fjalë të Jezminës: – Doktor, më thuaj, ku ta pres faturën….? Meqë ju nuk i doni se janë pak, po ua jap personelit për një kafe. Dhe doli tepër e mërzitur, pavarësisht se dukej e qetë në vetvete. Nuk e kishte menduar kurrë një skenë të tillë, kaq fyese, nga mjekët që ne i shikojmë në dritë të syrit dhe që paguhen nga shteti.
– Ç’pate….? Nuk e dëgjova gjithë bisedën…. Të kërkoi para…..!? Pyeti Sadriu, i bindur se kështu ka ndodhur.
– Po më kërkoi 100.000 lekë, (Të vjetra). Paskan të drejtë ata që flasin dhe ankohen për ryshfetin që kërkojnë disa nga mjekët. Më çuditi guximi dhe gjakftohtësia e doktorit, që kërkoi para, pa i’u dridhur qerpiku dhe pa i’u skuqur fytyra, ndërkohë paguhen nga taksat tona. Ku t’i gjejmë aq para ne pensionstët……!? Nuk është klinikë private…! Dhe unë ia dhashë atë përgjigje që më erdhi në mendje, në atë çast ku u ndjeva shumë e fyer. Kaq pak dinjitet njerëzor paska mbetur për ne….!?
Infermjeret e kapën doktorin e narkozës prej krahësh dhe e tërhoqën në një dhomë ngjitur. E ulën në karrige, pasi ishte zverdhuar, apo zbardhur në fytyrë mbetur pa gjak, gati t’i binte të fikët. I sollën një gotë ujë. Pas pak u përmend, erdhi në vete dhe pyeti:
– Ikën…..? Po unë si e bëra këtë veprim…..!? Po sikur të më dalë emri në gazetë dhe të më heqin nga puna…..!? gjithë jetën do më tregojnë me gisht…..! Hapu det që të mbytem….!?
– Doktor! Mos u mërzit shumë, – ndërhyri një nga infermieret. Ju nuk jeni i vetmi. Nuk jeni as i pari dhe as i fundit që kërkoni para.. Ne e shikojmë përditë ç’ ndodh në spital. Çudia vazhdon tre dit dhe harrohet sikur nuk ka ndodhur asgjë.
– Jo nuk është kaq e thjeshtë. Gati sa nuk vdiqa. Jo nga turpi, se turp nuk kam. Jam zhveshur prej kohësh nga këto ndjesi që na mësonin në shkollë…! Po nuk e prisja një përgjigje që më gozhdoi. Nuk mbaj mend të më ketë ndodhur më parë. Po mjekët e tjerë si bëjnë, kur mund të ndodhen në rrethana të tilla? Jemi bërë të pashpirt dhe nuk ndjejmë hallin dhe dhimbjen që kanë. Lakmia për para na është bërë ves i ndyrë. I shikojmë njerëzit si miza, pa i hedhur sytë në fytyrën e tyre, sikur na e kanë borxh. Faji nuk është kolektiv dhe ndëshkimi kurdoherë është personal. Sot kuptova se nuk ka humbur shpirti i qytetarëve të mi. Nuk e di si do vazhdoj të punoj….! Por po ju them vetëm këto dy fjalë, si amanet: – Kur të vdes, mbi varrin tim shkruani vetëm këto fjalë: – “Doktor, ku ta pres faturën….!?”
Kadri Tarelli
Korrik. 2026.



