Përgatiti dhe përktheu: Gladiola Jorbus

Nga India në Suedi me biçikletë për dashurinë
Një histori e pazakontë dashurie që kapërceu mijëra kilometra, kufij dhe dallime kulturore

New Delhi/Borås – Dashuria mund t’i shtyjë njerëzit të bëjnë gjëra që në pamje të parë duken të pamundura. Kjo është historia e Pradyumna Kumar Mahanandia, i njohur si PK, një artist indian që në vitin 1977 vendosi të shiste gjithçka që kishte, të blinte një biçikletë dhe të nisej nga India drejt Evropës për t’u bashkuar me gruan që dashuronte. Ai mendonte se ajo jetonte në Zvicër. Vetëm gjatë rrugës zbuloi se destinacioni i tij i vërtetë ishte Suedia.
Një artist që jetonte në varfëri
Në fillim të viteve 1970, PK jetonte në New Delhi dhe fitonte jetesën duke vizatuar portrete në rrugë. Paratë që fitonte i përdorte për të financuar studimet për t’u bërë mësues vizatimi. Jeta e tij ishte e vështirë: ai jetonte nën një urë dhe policia shpesh e largonte nga vendi ku punonte.
Në atë periudhë, dashuria nuk ishte shqetësimi i tij kryesor. Për të, më e rëndësishme ishte të gjente para për të ngrënë dhe të vazhdonte
shkollimin. Megjithatë, në mendjen e tij kishte mbetur një parashikim i bërë nga babai.Sipas një parashikimi tradicional, PK do të martohej me një grua muzikante, nga një tokë e largët, e lindur në yjësinë e Demit dhe që do të kishte në pronësi një pyll ose tokë të madhe.
Takimi që i ndryshoi jetën Fati mori një kthesë të papritur kur në New Delhi mbërriti Valentina Tereshkova, kozmonautja sovjetike. Gjatë vizitës së saj në Indi, ajo pa punën e PK-së dhe kërkoi që ai t’i bënte një portret.
Portreti u dorëzua para kamerave televizive dhe gazetarëve. Pas kësaj ngjarjeje, emri i PK-së u përhap në të gjithë vendin. Njerëzit filluan të
qëndronin në radhë dhe çmimi i një portreti u rrit ndjeshëm.
Nga një artist i varfër, PK u bë papritur i njohur. Edhe kryeministrja indiane Indira Gandhi e ftoi në shtëpinë e saj. Policia që më parë e përzinte nga sheshi, tani e respektonte. Por ndryshimi më i madh në jetën e tij do të vinte pak më vonë.

17 dhjetor 1975: takimi me Lottën
Më 17 dhjetor 1975, PK takoi një vajzë 19-vjeçare, e cila quhej Lotta nga Boråsi i Suedisë. Ajo kishte udhëtuar me disa miq në Indi dhe dëshironte të merrte një portret për nënën e saj.
Kur Lotta iu afrua PK-së, ai ndjeu menjëherë diçka të veçantë. Dora që mbante lapsin i dridhej dhe ai e përshkruan momentin si një ndjesi, sikur në mendjen e tij ishte hapur papritur një derë.
Edhe Lotta ndjeu se takimi nuk ishte i zakonshëm. Ajo u kthye të nesërmen për një portret tjetër, dhe më pas edhe një herë tjetër.
Vetëm disa javë pas takimit, të dy udhëtuan drejt fshatit të PK-së në Odisha, Indi, ku u martuan. Ata pothuajse nuk njiheshin, por Lotta ishte e
bindur se kishte takuar njeriun e jetës së saj.
Pas martesës, Lotta u kthye në Suedi për të përfunduar studimet e saj për muzikë. Çifti jetonte i ndarë nga mijëra kilometra distancë, por komunikonte përmes letrave dhe telefonit.
Me kalimin e kohës, PK kuptoi se Lotta përputhej çuditërisht me parashikimin e babait të tij. Ajo ishte muzikante, vinte nga një kulturë dhe
grup tjetër shoqëror, kishte lidhje me tokën dhe pyjet e familjes së saj dhe ishte e lindur në shenjën e Demit. Për PK-në, kjo ishte dëshmi se takimi i tyre ishte i shkruar.
Por largësia po bëhej gjithnjë e më e vështirë.
Vendimi i jashtëzakonshëm 10 mijë kilometra drejt Borås-it
Pas rreth një viti e gjysmë, në vitin 1977, PK vendosi se nuk mund të priste më. Ai shiti gjithçka që kishte dhe bleu një biçikletë.
Plani i tij ishte i thjeshtë: të shkonte me biçikletë deri te gruaja që dashuronte.
Udhëtimi ishte i gjatë dhe i vështirë. PK kaloi nëpër Azi dhe Evropë duke përshkuar rrugë të gjata e të mundimshme me biçikletë.
Pas pesë muajsh sfidues e sfilitës mbi biçikletë, ai më në fund mbërriti në Borås. Takimi me Lottën tregoi se pritja dhe distanca nuk e kishin cënuar aspak dashurinë e tyre.

Pas ribashkimit, PK dhe Lotta ndërtuan jetën e tyre në Suedi. Ata jetuan në fermën e familjes së saj pranë Boråsit dhe patën dy fëmijë.
PK punoi për shumë vite si mësues arti, ndërsa Lotta punoi si mësues muzike. Më vonë, ajo u bë instruktore joge.
Për të dy, dallimet mes Indisë dhe Suedisë, gjuhët, kulturat dhe mijëra kilometrat që i ndanin nuk ishin aspak të pakapërcyeshme. Ata besonin se ajo që kishte rëndësi ishte lidhja mes dy njerëzve.
Historia e PK-së dhe Lottës nuk është vetëm një histori romantike, por edhe një reflektim mbi mënyrën se si njerëzit e shohin njëri-tjetrin.
Për PK-në, kufijtë midis vendeve nuk duhet të jenë më të rëndësishme se lidhjet mes njerëzve. Mesazhi i tij është i thjeshtë: në vend që të mendojmë vetëm për “vendin tonë”, duhet të mendojmë për “tokën tonë”.
Historia e një burri që udhëtoi nga India në Suedi me biçikletë për dashurinë mbetet kështu një histori për guximin, besimin dhe fuqinë e një
lidhjeje që nuk u ndal nga distanca.
Burimi: Mediumi suedez ’’Arbetet’’