Adifete Shiti
Përurim libri – një mbrëmje kujtese dhe kënge në Malishevë
Në Malishevë, mes fjalës së shkruar dhe tingullit të këngës, u përurua libri monografik “RAPSODI ALI KRASNIQI – Fisniku i këngës”, një vepër që i kushtohet rapsodit të mirënjohur nga trungu i rapsodëve të Krasniqëve të Drenocit, këngëtarit emblematik Ali R. Krasniqi. Libri mban vulën e bashkëautorëve Ismet Krasniqi dhe Jonuz Mazreku, të cilët me përkushtim kanë ndërtuar një monument kujtese për një figurë të pavdekshme të folklorit shqiptar. Në sallën e Kuvendit, ku fjala merr peshë e kujtesa merr frymë, u ligjërua për librin nga Prof. Prend Buzhala, redaktor gjuhësor i veprës. U lexua edhe recensa e recensentit Prof. Dr. Behar Arllati, e përcjellë nga I. Berisha – Xhixhi, ndërsa bashkëautorët ndanë me të pranishmit rrugëtimin krijues dhe shpirtëror të kësaj monografie. Aktivitetin e përshëndetën nënkryetari i Komunës dhe Shaqir Foniqi, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Mbrëmja mori ngjyrë dhe ndjesi të veçantë kur zëri i këngës u rikthye në sallë: djemtë, nipat dhe mbesat e rapsodit Ali Krasniqi interpretuan këngë që mbajnë gjallë frymën e tij, duke dëshmuar se trashëgimia nuk shuhet, por përcillet brez pas brezi. U tha me të drejtë se Rapsodi i paharruar Ali R. Krasniqi i përket brezit të mesëm të këngëtarëve tradicionalë të shkollës së folklorit të Drenocit, pas Salihut e Feriz Krasniqit. Që nga mosha 8-vjeçare e deri në fund të jetës, ai këndoi me zjarr emocional dhe ndjeshmëri të lartë artistike, duke e ngritur këngën folklorike shqiptare në kultin e rapsodit të pavdekshëm. Ai nuk ishte vetëm këngëtar, por ruajtës i traditës dhe i historisë kombëtare, një zë që lidhi kohët dhe njerëzit. Malishevë, 21 Dhjetor 2025.



