Mbrëmje poetike me vargjet e Gladiola Jorbus

Gladiola Jorbus

Quo vadis, mundus?

Nëpër harta, qytetet
janë shndërruar në shënjestra.
Era sjell lajme pluhuri e zjarri.
Ku po shkon, o botë,
me kaq plagë mbi supe
me kaq dhembje në zemër?

Fëmijët duan të lozin me ëndrra,
në rrugët e lakuara si pikëpyetje.
Njerëzit ecin si hije të lodhura,
duke mbajtur shpresën
në xhepa të grisur.

Kur do të zgjohemi
nën një qiell të paqtë,
ku krahët e nënave
të mbushen plot e përplot
me përqafimet e fëmijëve.
Dhe fjala luftë të ekzistojë
vetëm në fjalorë, ashtu
si lugatët, shtrigat dhe dinosaurët.

Quo vadis, mundus?

 

Alter ego

Nuk e di
të iki apo të kthehem?!
Çdo hap më kthen pas,
çdo kthim më shtyn më tej.

Hapat tingëllojnë si të huaj.
Një zhurmë që s’e njoh,
por mua më përket.

Fytyra ime,
as qesh, as qan.
Vetëm pulson
në rrudhat e heshtjes.

A është kjo mungesë,
apo tejmbushje e shpirtit?
A jam unë
apo është hija ime?

Në këtë turbullirë,
gjithçka duket pranë.
Dorën shtrij ta prek,
por zhduket sakaq.

Si një ëndërr më sheh,
kur jam zgjuar.
Si një klithmë,
më sjell dhembjen,
pa e ftuar.