Irena Kuka Dragoti
Të tjerat m’i jep Atdheu
Nuk kam ardhur të luaj teatër,
ndaj uleni siparin.
Jam një e huaj;
kërrus aromat e syve, sjellë nga toka ime.
Të huaj kam shtëpinë dhe gjumin e pakët,
si udhëtim vajtje-ardhje bëj çdo natë.
Ndaj shihmëni pa mëri;
nuk kam ardhur t’ju futem
në zemër të kujtesës,
as t’ju gdhend të ardhmen.
Fati im është hija ime
që mbillet e korret çdo stinë.
Flamurin tim me shkabë
nuk ia valëvis vjeshtës së tretë,
sepse kurrë nuk fryu erë e marrë
në ballkonin nga sheh ky qytet.
Ju përkas në letra me dy gjysma atdheu;
udhëtoj mes tyre me varkën e syve;
në netë mërzie ajo shpesh më mbytet…
Por nuk kam ardhur të shoh
dritaresh të avullta mallin tim të pafuqi,
kur lëpin plagët.
Prej shenjash ndaj stinët,
por gjithmonë bën dimër;
yjet mezi shihen, vonon perëndimi.
Lotët përveshin mëngët,
hakërrehen mollëzash,
qëkur mbathën heshtjen,
morën ngjyrë ndryshk.
Por nuk kam ardhur të buzëqesh,
fshehur buzëve,
as të blej varre për të ngulur rrënjët.
Jam veç shtegtare;
nga faqja e pasme e diellit
rishpik horizonte dhe i shtrëngoj dorën dhembjes.
Guxoj të humb, duke matur etjen
pa tradhëtuar ëndrrat, në gojë të reshjeve.
Por nuk kam ardhur t’ju marr lirinë,
veç doja të rritem;
kurrë nuk jam mbytur nga dallgë zilie.
Një copëz më duhet, një copëz marrjefrymë;
urtë kur të plakem, ta kthej në shtëpi.
Nuk kam ardhur të zbardhem këtu…