Elvira Zeneli
ZËRI YT SE Ç’MË FLET
I rrahën krahët dallëndyshet,
Përçikën tokën dhe ra shi,
Si degë panje dita thyhet
Mban frymën mbrëmja, po vjen Ti.
Zërin tënd dëgjoj kur më flet,
Aromën për ty përhap bliri
Si piano rruga krejt tingëllon
Nën takat e tua gurë xhevahiri
Hënë e kthyer në neon.
Nuk di prej ç’zambaku je sajuar,
Në ç’gjuhë zogjsh ti më flet ashtu,
Nga sytë e mi të dashuruar,
Përsosen buzët, sytë e tu.
Sa herë ja thamë njëri – tjetrit
Ka mijëra vjet që njohur jemi
Dhe prapë zbulojmë tek une dhe ti
Çdo ditë një kontinent të ri.
Sa lart u ngritën dallëndyshet
Diku me sqep çukisin yjet
Po nesër qiejt prapë braktisin
Në një vetmi pa anë, pa fund..